Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” u shpreh se numërimi i deritanishëm i votës së mërgatës i jep Lëvizjes Vetëvendosje shanse të mëdha për të arritur numrin e 51 mandateve në parlament.

“Me këto rezultate, po të përmbyllet procesi zgjedhor me një përqindje të tillë (81.97%), Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 51 deputetë, pa i llogaritur votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Me një trend të tillë, i bie që LVV-ja, me 73 deri në 82 për qind të votave të diasporës, i ka të sigurta 50 mandate dhe, sa më shumë që i afrohet 82 përqindëshit, futet në garë edhe për mandatin e 51-të. LVV-ja, nëse do të ketë 61 deri në 73 për qind, do t’i ketë 49 mandate. Gjasat më reale janë që Lëvizja Vetëvendosje ta përmbyllë këtë proces me 50 mandate”, tha ai të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Pas numërimit të votave në ambasada dhe konsullata, pritet të nisë numërimi i rreth 63 mijë votave të ardhura me postë nga votuesit në mërgatë.