Nga Hasan Bello

Më 5 shtator 1926, Myslym Peza, bashkë me shokun e tij Lom Lekën, i bënë atentat majorit Osman Bali, i cili njihej si besnik i Esat Pashës dhe pjesëmarrës në Luftën e Shkodrës. Nga shumë autorë, ai konsiderohet gjithashtu si një nga personat që vrau Hasan Riza Pashën.

Në vitet ’20, Osman Bali ishte një nga personat më trima dhe kapadai të kryeqytetit. Por ishte vendosur në listë për t’u ekzekutuar. Për gati njëmbëdhjetë ditë, vrasësit e kishin vëzhguar në distancë. Në momentin e atentatit, Myslym Pezës i bllokohet arma (njësoj siç iu bllokua Nuredin Dumanit në Bradashesh të Elbasanit më 17 shtator 2020) dhe në ndihmë i vjen Lom Leka, i cili ishte një jetim nga Ndroqi, i dënuar shumë i ri për vrasje. Ai e qëlloi Osman Balin në kyçin e dorës dhe e pengoi të nxirrte armën. Më pas qëlloi mbi të edhe dy herë të tjera. Kjo i la kohë Myslym Pezës të rimbushte pistoletën dhe ta qëllonte Osman Balin për herë të katërt dhe të pestë.

Ndërsa Lom Leka u ekzekutua pas disa kohësh nga forcat e xhandarmërisë, Myslym Peza qëndroi i fshehur derisa u arratis në Jugosllavi, ku qëndroi me ndihmën e Haxhi Lleshit deri në vitin 1939.

Në kujtimet e tij dhe në këngën popullore, ai përshkruan pak a shumë të njëjtën ngjarje, duke u treguar përjetë mirënjohës ndaj Lomit:

“Mu ke ura, aty ke rrapi, qita dhjetshen eee nuk m’zhgrrapi

M’paç n’qaf, o dhjetshja e shkretë,

mos qe Lomi, më shtjeve n’dhe.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *