Nga Arbër Zaimi
Personi që ka pranuar krimin, porositësi i vrasjes së bashkëshortes, Naim Murseli, ishte njeri i sferave politike, nga ata që, kur u vjen në pushtet partia, ngarkohen me detyra përfaqësuese, ekzekutive apo këshillimore.
Nga profili i tij FB kuptojmë se qe i arsimuar jashtë; kishte shumë “network” pra shumë të njohur të rëndësishëm e të famshëm; udhëtonte e bënte takime; si dhe qe sipërmarrës i bizneseve të reja që etiketohen rëndom si “smart” apo “startup”. Ftohej edhe nëpër media.
Por me aq sa pashë, në profilin e tij mungonin krejtësisht qëndrimet politike apo shoqërore.
Kjo natyrisht nuk është ndonjë shenjë dalluese e të qenit kriminel, sepse ka patur edhe filozofë kriminelë. Por një habi që më lind nga ky rast është: pse politika mban afër të tillë njerëz që kurrë një qëndrim politik nuk janë në gjendje të artikulojnë? Njerëz që me gjasë nuk kanë as besim të vetin, as bindje, as analizë, as vlera politike? Në vendet skandinave prej nga vinte krimineli, gati se në secilën qeveri ka edhe ministra me shkollë të mesme, teksa edhe të pasurit e të pushtetshmit shfaqen sa më thjesht e me modesti (kjo jo se zhduk krimet në atë shoqëri, por ndihmon në krijimin e një jete më të jetueshme). Pse është politika dhe media jonë kaq e “fascinuar” me dukjen, me dipllomat, me fotografitë, me takimet? Në përpjesëtim të zhdrejtë me interesin për mendim politik e angazhim komunitar?