Automjetet e para kaluan sot mbi urën e re të ndërtuar mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Kjo urë, e cila mundëson lëvizjen e automjeteve, lidh pjesën veriore me atë jugore të qytetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përshëndeti hapjen e saj, duke theksuar se punimet u përfunduan brenda 40 ditësh.
“Më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër. Ura për kalimin e automjeteve, nga sot prej orës 9:00, është hapur për qarkullim. Urime banorëve dhe qytetarëve të Mitrovicës së Jugut e të Mitrovicës së Veriut! Përgëzime ndërmarrjes dhe punëtorëve për angazhimin shembullor. Punimet në urën tjetër po vazhdojnë”, shkroi Kurti në Facebook.
Në vijim, ura pritet të testohet edhe për mjetet me peshë të rëndë, ndërsa përurimi zyrtar është parashikuar të mbahet më 1 shtator.