Rinat Akhmetov, presidenti i Shaktarit te Donjetskut deklaroi se një pjesë e të ardhurave nga shitja e talentit Mikailo Mudryk te Çelsi do të përdoren për nevojat e ushtrisë ukrainase që po lufton ndaj agresionit rus.
Klubi ukrainas finalizoi marrëveshjen me klubin anglez për shitjen e Mudryk për shifrën e 100 milionë eurove.
70 milionë euro do të paguhen menjëherë në arkën e Shaktarit, ndërsa 30 milionë euro parashikohen të paguhen në formën e bonuseve.
Presidenti i klubit ukrainas deklaroi se pa ndihmën e ushtrisë ukrainase sot nuk do të mund të flitej për futboll.
Ai shtoi se të gjithë duhet të bashkojnë forcat për të larguar të keqen e madhe që u ka ardhur në shtëpi duke iu referuar sulmit të ushtrisë ruse.
Akhmetov nuk dha detaje për shumën konkrete që do të shkojë për nevojat e ushtrisë ukrainase, por konfirmoi se kjo ndihmë ishte më e pakta që klubi mund të bëntë për ata që rrezikojnë çdo ditë jetët e tyre në mbrojtje të Ukrainës.