Partia Demokratike ka depozituar ditën e sotme një kërkesë zyrtare në Kuvend për mbledhjen e Këshillit të Mandateve lidhur me çështjen “Balluku”. Sipas kërkesës, PD kërkon që mbledhja të zhvillohet ditën e martë, më 23 dhjetor, në orën 11:00.

Kërkesa është bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka insistuar që Këshilli i Mandateve të mblidhet për të vijuar procedurat parlamentare në lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit.

Mbledhja e së premtes së kaluar u shoqërua me debate të gjata, që zgjatën rreth pesë orë, por përfundoi pa një dakordësi për datën e mbledhjes së radhës. Shkak për këtë ishte kërkesa që të gjithë anëtarët e Këshillit të Mandateve, si edhe pala e akuzuar, të njihen më parë me materialin voluminoz të depozituar nga prokurori i çështjes, i cili përmban prova dhe argumente hetimore.

Partia Demokratike thekson se mbledhja e Këshillit të Mandateve është e domosdoshme për të garantuar transparencë dhe respektim të procedurave ligjore, ndërsa pritet që mazhoranca të japë qëndrimin e saj për datën dhe zhvillimin e kësaj mbledhjeje.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *