Nga Sebastian Zonja

Së fundmi, palët politike në vend ranë dakord për disa arnime të Kodit Zgjedhor, i cili është çelësi i pushtetit politik. Nga lëvizjet e kryeministrit Edi Rama për t’u afruar me personazhe të rëndësishëm pranë administratës Tramp ( nëse vjen në pushtet ) dhe opinionet e shprehura nga funksionarë të lartë të Partisë Demokratike se me ardhjen e Trampit president në ShBA ndryshon situata, kuptojmë se dy politikanët më të fuqishëm në Shqipëri kanë vënë këtë bast – ose fitojmë mbi SPAK-un dhe vullnetin amerikan për institucionalizim, ose na merr lumi bashkë me paratë që kemi bërë këto 30 vjet. 

Kërkesa evropiane shprehet nëpër progresraporte: duhen institucione të forta dhe lidera të dobët për të hyrë në Evropën e bashkuar, jo e anasjellta. Logjika e politikanëve tanë është feudale: ç’kam bërë me djersë dhe dredhi, s’vjen dot një lyrash të ma marrë se thotë s’është demokratike.

Për shkak të luftës në Ukrainë, ashtu siç ndryshoi qasje ndaj Serbisë Amerika dhe Bashkimi Evropian, në të njëjtën kohë edhe radarët për lëvizjet e brendshme në Shqipëri ulën vigjilencën. 

Çfarë përfitojnë palët nga kjo situatë: 

Sali Berisha – S’ka kohë për zgjedhje brenda në Parti që të hapen inate primaresh, se zgjedhjet e përgjithshme janë përpara. Si politikan i vjetër, ai e di se grupi i unifikuar politik ka më shumë rëndësi se refrenet demokratike në raste të këtilla. Kalcifikon një grup parlamentar që ka moton “Free Berisha”. Intensifikohet refreni se në Shqipëri është arrestuar lideri i opozitës dhe barazohet moralisht për palët vjedhja qeveritare e Edi Ramës me ndalimin e Sali Berishës. E thënë ndryshe – ti vjedh për aq kohë sa ke burgosur Berishën, se po të ishte jashtë nuk do qëndroje një ditë në pushtet. 

Edi Rama – Kryeministri ka përballë një kundërshtar që e mund rregullisht në zgjedhje prej një dekade. Ka kapital politik për shkak të djegies së mandateve dhe mos’hyrjes në zgjedhjet lokale nga ana e Lulzim Bashës dhe, me të drejtë, i paraqet si aleatë të pabesueshëm te evropianët.  Me Berishën përballë, mban gjallë refrenin “unë vetëpastrohem, se e lejoj SPAK-un të bëjë punën e vet. Shihni cilin kam kundërshtar!”. 

Basti i vënë mes këtyre dy pushtetarëve ka synim të shohë letrat që kanë në dorë amerikanët. Në tavolinën e pokerit janë ulur Berisha, Rama dhe SPAK-u. Dy lojtarët e vjetër ja dinë hilet njëri – tjetrit, ndaj kanë dhënë “all in” për të parë letrat e SPAK-ut ( lexo amerikanët ). 

Pak a shumë, shohim se basti është vënë për vitin 2026 – 2027. Nëse nuk ka lëvizje të forta për ta zhbllokuar situatën, le të shpresojmë se pas zgjedhjeve të vitit 2034 do ketë fije shprese për ndonjë lëvizje të re politike në Shqipëri. Deri atëherë, Partia Demokratike do zaptojë opozitarizmin dhe çdo lëvizje jashtë saj do etiketohet e Ramës. Ndërsa Edi Rama, i sigurtë në qeveri, do fillojë të gollofisë oligarkët, njëjtë si Putini në Rusi, sepse dikush e ka fajin pse punët shkojnë keq, përveç liderit të Partisë që i hanë kumbulla pas krahëve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *