Nga Arbër Zaimi

Në zgjedhjet britanike fitorja e të majtës centriste, Partisë së Punës, dihej, e parashikuar bindëse prej më shumë se një viti.

Çka surprizon ishte rezultati tepër i ulët i të djathtës centriste, Partisë Konservatore, me numrin më të vogël të deputetëve në historinë e tyre. Pritet të jenë rreth 131 mandate, jo fort larg partisë së tretë. Njëmbëdhjetë ministra nuk kanë arritur të fitojnë mandat për veten e tyre.

Ky rezultat i ulët i konservatorëve ka shumë arsye, ndër të cilat:

  • koha e gjatë në pushtet,
  • marrja e partisë prej populistëve që çoi në daljen e Britanisë prej BE-së gjë që nuk solli rezultatet e premtuara ekonomike, përkundrazi,
  • mungesa e një lideri të fortë dhe ndryshimi i shpeshtë i lidershipit,
  • performanca e dobët e kryeministrit Sunak si në politikat ekonomike e në ato të mirëqenies sociale, ashtu edhe në aspektin komunikativ në fushatë.

Veç kësaj, duhet shënuar edhe se Partia e Punës fitoi edhe Skocinë, ku prej vitesh zakonisht fitonte Partia Kombëtare Skoceze, e cila ka marrë rezultatin më të ulët prej vitit 2010. A do mbërrijë një politikë pak më socialdemokrate të kthejë sadokudo britanikët kah uniteti? Të shohim.

Por, rritja e madhe e mandateve të laburistëve nën drejtimin e centristit Starmer nuk është në përputhje edhe me përqindjen e votave. Në zgjedhjet e 2017 kur kjo parti drejtohej nga majtisti Corbyn, mori rreth 40% të votave, por shumë më pak mandate se sa tani që ka marrë rreth 35% të votave, në sistemin e pastër mazhoritar të atij vendi.

Çka do të thotë kjo? Do të thotë që ka patur rritje të ndjeshme të votave për parti më të djathta dhe më të majta se këto të dyja. Kjo dallohet jo fort në mandatet e fituara, por në vendet e dyta të marra jo prej dy partive të mëdha tradicionale.

Në analizë të fundit, nëse qeveria Starmer nuk arrin të përmbushë matshëm dhe ndjeshëm sloganin e vet elektoral, pra ndryshimin – siç me siguri urojnë votuesit – nuk janë të vogla gjasat që politika zgjedhore britanike të shkojë në udhën e asaj franceze.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *