Gjykata Federale e Uashingtonit dënoi sot me 28 muaj burgim ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Nezaj dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë dhe kryeministrin Edi Rama.

Sipas prokurorëve të çështjes, zoti McGonigal jo vetëm nuk kishte deklaruar marrjen e parave, por kishte avancuar interesat e biznesit të zotit Nezaj dhe gënjeu FBI-në për aktivitetet e tyre të përbashkëta, duke fshehur kështu faktin që ai kishte konflikt interesi dhe interesa financiare private, – raporton Zëri i Amerikës.

“Kjo përbën në thelb korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë. I pandehuri ishte betuar se do të hetonte dhe parandalonte krimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe jo t’i kryente ato.” – thuhet në dokument.

Në shtator zoti McGonigal pranoi fajësinë në gjykatën federale në Uashington, në lidhje me të gjitha akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet e paraportuara me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

Pranimi i fajësisë u bë në bazë të një marrëveshje mes prokurorëve dhe avokatëve të zotit McGonigal. Në këmbim të pranimit të fajësisë për një prej pikave të aktpadisë, atë për fshehjen e provave materiale, prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera, – vijon Zëri i Amerikës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *