Ish-drejtuesi i Kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal u dënua me 4 vjet e 2 muaj burg nga Gjykata Federale në Manhatan për lidhjet e tij me oligarkun rus, Oleg Deripaska, i sanksionuar nga SHBA-të.
Gjyqtarja, Jennifer Reinden gjatë shqiptimit të dënimit, ndër të tjera theksoi kontributin e McGonigal në strukturat e sigurisë amerikane, por nënvzoi se shërbimet e tij në interes të Oleg Deripaskës kanë cënuar rëndë sigurinë kombëtare të vendit.
Vetë 55-vjeçari e pranoi sërish akuzën duke shprehur pendesë.
“Kam kryer një krim dhe si ish-agjent special i FBI-së më shkakton dhimbje ekstreme emocionale dhe fizike. Unë qëndroj para jush sot me një ndjenjë të thellë pendimi” – tha ai para shqiptimit të dënimit.
Prokurorët kërkuan 5 vjet burg për ish-zyrtarin e FBi-së, ndërkohë që llogaritë e McGonigal me drejtësinë nuk mbyllen këtu.
Në datën 16 shkurt, Gjykata Federale në Uashington do të japë vendimin lidhur me aferën e McGonigal në atë që njihet si çështja shqiptare.
Ai akuzohet se pranoi 220 mijë dollarë në mënyrë të paligjshme për të lobuar kundër opozitës politike në Shqipëri, ndërsa zhvilloi disa takime me kryeministrin Edi Rama dhe disa personazhe të njohura të jetës politike dhe të biznesit në vendin tonë.
McGonigal ka pranuar paraprakisht fajësinë dhe në rastin e çështjes së Shqipërisë, ndërkohë që në muajin shkurt mund të përballet me një dënim të dytë nga drejtësia amerikane/ Besmir Lushaj