Ambasadori amerikan Christopher Hill, një nga diplomatët më me ndikim në proceset negociuese për Kosovën, ka treguar arsyet pse vendosi të dëshmojë në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi. Në një intervistë për Euronews Albania, Hill theksoi se vendimi i tij nuk ishte rezultat presioni politik apo profesional, por një përgjegjësi thellësisht morale.
Hill tha se gjatë gjithë angazhimit të tij në Kosovë, përfshirë vizitat në zonat ku ndodhën krime lufte, nuk kishte parë asnjë provë që Thaçi kishte urdhëruar apo kryer krime. Ai theksoi se dëshmia e tij ishte e bazuar në përvojën personale dhe njohuritë e drejtpërdrejta nga terreni.
“Askush nuk më kërkoi mbështetje. E mora këtë hap sepse e ndjeva si detyrim moral. Kam parë shumë gjatë luftës, por kurrë nuk e kam parë Hashim Thaçin të japë urdhra për vrasje apo të kryejë krime. Për gati pesë vite ai është në paraburgim, dhe ndjeva se ishte e padrejtë ta mbaja këtë informacion për vete,” u shpreh Hill.
Ai tregoi se dëshmia në Hagë zgjati tre ditë dhe se shpesh u përball me një qasje të ashpër nga prokuroria, por sipas tij ishte thelbësore që gjykata të kishte një pasqyrë të plotë të realitetit të asaj kohe.
Ambasadori u ndal edhe te struktura e UÇK-së, duke theksuar se pretendimet për një zinxhir të përqëndruar komandues të drejtuar nga Thaçi nuk përputheshin me realitetin e periudhës së luftës. Hill u shpreh se UÇK-ja kishte aktorë të pavarur dhe se nuk ekzistonte një hierarki e tillë vertikale siç pretendohej.
“Unë nuk pashë prova që UÇK-ja funksiononte si një strukturë ku çdo urdhër vinte nga Thaçi. Ajo që pashë ishte shumë më komplekse. Të gjitha komentet e mia i bazova vetëm në atë që unë e dija, në atë që kam parë personalisht,” shtoi ai.
I pyetur se si mund të përfundojë ky gjyq, Hill u përgjigj se nuk mund të bëjë parashikime, duke shtuar me ironi se “do të donte të kishte një makineri kohe për të parë të ardhmen”.

