Nga Arbër Zaimi
Organizata e Traktatit Atlantiko Verior, që ne e njohim sipas akronimit anglofon NATO e më pak sipas akronimit të gjuhëve neolatine OTAN (por jo sipas akronimit shqip OTAV), po mbush 75 vjet.
Nëse konsiderohen asetet e buxhetet, kjo aleancë është larg të tjerave, më e armatosur, më e pasur, më e avancuar teknologjikisht.
Por në 10 vitet e fundit një sfidë është paraqitur për ushtritë e botës, përfshi edhe ato të NATO-s. Një revolucion teknologjik duket se po ndodh, në rrafshin e inteligjencës artificiale apo mësueshmërisë makinike. Makinat janë gjithnjë e më të afta të mbledhin, të kategorizojnë, të ndërthurin e të përpunojnë të dhëna prej njerëzimit që vëzhgohet me e pa dëshirën e vet.
Revolucionet teknologjike sa herë kanë ndodhur, kanë imponuar së pari zëvendësim dhe përditësim të teknologjisë ushtarake. Kush vonohet, humb hapin e mbase nuk e zë më. Ka patur raste në të shkuarën kur një superfuqi e kohës, nga vetëbesimi i madh, nuk i ka kushtuar rëndësi revolucionit teknologjik, e ka rënë prej vaktit.
Kostot e zëvendësimit dhe përshtatjes me teknologjinë revolucionare janë më të mëdha sa më e madhe të jetë ushtria ekzistuese. Restaurimi i një rrokaqielli dihet kushton më shumë se sa restaurimi i një shtëpie përdhese.
Por pas rënies së perdes së hekurt u krijua përshtypja se NATO kishte pak sfida reale. Rusia u duk se hyri në spirale të degradimit ekonomik e të korrupsionit, ndërsa Kina që po rritet ndjeshëm ekonomikisht vazhdimisht kujdeset të theksojë se nuk dëshiron përballje ushtarake (por ndikimin dhe apetitet i ka në rritje). Vende të vogla problematike si Serbia në Ballkan, apo ushtri primitive si ato të fondamentalistëve në Lindjen e Mesme nuk mund të merreshin seriozisht si arsyetim për buxhetin që kërkon zëvendësimi teknologjik në ushtritë e NATO-s. Kërkesat e vazhdueshme amerikane që vendet aleate të shpenzojnë buxhetin e parashikuar në traktat, binin në vesh të shurdhët. Madje edhe kërcënimi që bëri presidenti “atipik” Trump, se do ta zhbënte NATO-n nëse aleatët nuk paguanin sipas marrëveshjes, më shumë trembi vendet e vogla e kufitare me sferën ruse, se sa vendet e mëdha buxheti i të cilave çon peshë.
Çka nuk u arrit dot në paqe, erdhi si dhuratë prej luftës që nisi Rusia në Ukrainë. Ndoshta Rusia përllogariti se për pak javë do t’i arrinte disa synime, teksa Amerika fokusin kryesor e kishte pikërisht te rinovimi teknologjik, e për arsye ekonomike, vëmendjen gjeopolitike e kishte te Kina e Lindja e Mesme, ndërsa vendet europiane kishin krijuar varësi energjetike prej gazit rus. Me siguri Rusia përllogariti edhe se rrjeti korruptiv i miliarderëve e milionerëve rusë të shpërndarë në perëndim, do të ndikonte lobet e pushtetit. Por, dy vite më pas, pasuritë e oligarkëve rusë në perëndim janë sekuestruar, tubacionet e furnizimit me gaz u ndërprenë, vendet e mëdha të NATO-s kanë rritur ndjeshëm buxhetet, teksa Finlanda e Suedia, dy vende të zhvilluara e të pasura e deri dje neutrale, janë bashkangjitur në aleancë. Megjithatë rezultati i luftës nuk është rezultat futbolli që të parashikohet me logjikë bastesh. Ne urojmë të humbin agresorët dhe të kthehet sa më shpejt një paqe e drejtë.
Lufta nga ana tjetër ka mbjellë pasiguri në shumë rajone të botës. Diku edhe është shfrytëzuar momenti për të ndezur vatra të tjera konfliktesh e për të larë hesape. Shpërhapja e zjarrit është rrezik i madh.
E për NATO-n, shumë ekspertë mendojnë se, tash që duket se e ka tejkaluar sfidën financiare që kërkon rinovimi i teknologjisë, ballafaqohet me një sfidë tjetër. Polarizimin e shoqërive në vendet aleate. Thënë shkurt, dobësimi i qendrës (apo më mirë të themi i ish-qendrës) dhe forcimi kryesisht i të djathtës ekstreme, më pak edhe i të majtës.
Historikisht NATO u krijua dhe u konsolidua në kohët e konsensusit ekonomiko-social, në tre dekadat e pasluftës II, me kejnsianizmin e Konferencës Bretton-Woods, kur vendet perëndimore investuan në rritje ekonomike dhe mirëqenie për shoqërinë, në të drejta qytetare e punëtore si dhe siguri sociale e shëndetësore. Prej viteve ‘80 e këtej, me “Konsensusin e Washingtonit” shkatërrimi i kejnsianizmit prej neoliberalëve ka sjellë desubjektivim të masave popullore, zvogëlim të shtresës së mesme e rritje të madhe të pabarazisë. Kjo forcon pakënaqësitë dhe polarizimin shoqëror. Brenda disa shteteve të NATO-s madje ka analistë që dikudiku e shohin situatën si praglufte civile. Ndërsa në marrëdhëniet ndërshtetërore mes aleatëve rriten shanset për fërkime e keqkuptime kur njëri vend priret kah e djathta ekstreme e tjetri kah e majta ekstreme. Sigurisht edhe fuqitë rivale apo armiqësore, siç është zakoni, investojnë në rritjen e polarizimit, me dezinformim e diversion, që mbase është më i lehtë të bëhet në demokraci e me teknologjitë moderne. Duhet një stof i fortë shoqëror, me qytetarë të ndërgjegjshëm e të vetëdijësuar për ta fituar këtë sfidë.
A do ta gjejnë vendet e NATO-s mënyrën për ta tejkaluar këtë sfidë të dytë. Me një Bretton-Woods të re e një plan të ri Marshall? Të shohim.