Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, gjenerali Wesley Clark ka deklaruar se nuk disponon prova që lidhin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me spastrimin etnik të serbëve.
Gjatë seancës të martën, prokurori Matt Halling e pyeti Clark mbi pretendimet se rreth 170 mijë serbë ishin dëbuar nga Kosova, me supozimin se UÇK-ja ishte prapa këtij veprimi. Clark u shpreh:
“Unë nuk kam prova ose dëshmi që e mbështesin këtë pohim. Në fakt, ka indikacione që flasin për të kundërtën,” tha ai, duke iu referuar një interviste të publikuar në gazetën “Shekulli”.
Gjenerali gjithashtu theksoi se dhuna gjatë vitit 1999 kishte karakter më shumë personal dhe nuk ishte e orkestruar si pjesë e një plani.

