Sot një litër naftë në tregun e pakicës tregtohet me 214 lekë për litër, ose rreth 2.2 euro sipas kursit mesatar të këmbimit.
Nafta në Shqipëri tregtohet me çmimin më të lartë në rajon. Çmimet më të lira janë në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, ku aktualisht karburanti po tregtohet me rreth 1.6 euro për litër. Në Kosovë çmimi u rrit së fundmi në 1.7-1.8 euro/litër, por deri dy ditë më parë ishte rreth 1.6 euro/litër.
Mesatarisht, një përdorues automjeti në Shqipëri e paguan çmimin final mesatarisht 25-40% më shtrenjtë sesa në vendet e tjera të rajonit.
Po si shpjegohet ky çmim më i shtrenjtë?! Nëse shohim strukturën se si ndërtohet çmimi, në Shqipëri është fakt i njohur që barra e taksave është më e larta në rajon. Por, sa janë taksat që paguhen:
Në Shqipëri, elementi që shton më shumë barrën fiskale është taksa e qarkullimit prej 27 lekë për litër. Akciza është fikse, 39.4 lekë për litër dhe 3 lekë është taksa e karbonit. Mbi këto llogaritet TVSH-ja, që është 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni që TVSH nuk e ngarkon mbi taksat e tjera.
Mali i Zi ngarkon mbi çmimin e naftës vetëm akcizën, që së fundmi është përgjysmuar në 0.22 euro për litër, si një mjet për të lehtësuar rritjen e çmimeve. TVSH në Mal të Zi është 21%.
Maqedonia e Veriut ngarkon mbi naftën vetëm akcizë prej 0.42 lekë për litër. Së fundmi, qeveria e Maqedonisë së Veriut uli TVSh-në për naftën dhe benzinës nga 18% në 10% si një masë e përkohshme për të amortizuar rritjen e çmimit në bursa.
Kosova ka akcizë prej 0.37 euro për litër dhe TVSH prej 18%.
Në total, aktualisht, një shqiptar paguan në një litër naftë 1.16 euro taksa, (53% të çmimit final); një qytetar maqedonas 0.58 euro për litër (36% të çmimit final); një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final); një shtetas i Kosovës 0.67 euro, ose 38.5% të çmimit final.
Në vlerë, sa herë që ble një litër karburant, çdo përdorues makine në Shqipëri, paguan dy herë më shumë taksa sesa banorët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut.
Nëse hiqen taksat kryesore, çmimi i blerjes me shumicë, duke shtuar marzhet e pakicës dhe kostot e tjera të aktivitetit (kostot e punës, transport nga depot në rrjet, energji, firo ligjore, amortizimi, kredi bankare etj), në të gjitha vendet e rajonit është pak a shumë në të njëjtat nivele në rreth 1-1.1 euro për litër.
Rajoni nxiton të ulët taksat, Shqipëria ende pret
Fillimi i krizës në Lindjen e Mesme dhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës, bënë që shumë vende të nxitonin të merrnin masa për të mbrojtur konsumatorët.
Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të ulë akcizën për Eurodiesel me 50% duke filluar nga 24 mars 2026. Në të njëjtën kohë, akciza për benzinën është ulur me 25%. Masa është marrë për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve globale të naftës për shkak të krizës në Lindjen e Mesme.
Edhe qeveria e Maqedonisë e Veriut ka ulur TVSH-në për benzinën dhe naftën nga 18% në 10%. Masa është marrë për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve, të nxitura nga kriza në Lindjen e Mesme. Vendimi hyn në fuqi nga 23 mars 2026 dhe është i përkohshëm.
Qeveria e Kosovës ka ne fuqi Vendimin për Marzhin neto te fitimit prej 0.02 Euro/litër për shumicën dhe 0.12 Euro/litri për pakicën. Së fundmi në Kosovë po debatohet për ndërhyrje në akcizë dhe TVSH.
Shqipëria, që ka barrën më të lartë të taksave në rajon, po lëviz më ngadalë. Këshilli i Ministrave ka njoftuar se në kuadër të masave për stabilizimin e çmimit të karburanteve, krahas ringritjes së Bordit të Transparencës, ka ulur me 20% akcizën e karburanteve.
Kjo masë, sipas importueseve nuk ka hyrë ende në fuqi. Një ulje e akcizës me 20%, nënkupton që ajo do të zbresë në 32 lekë për litër pa TVSH, nga rreth 40 që është sot, pra një kursim për kompanitë prej 8 lekësh, që automatikisht duhet të përkthehet në një ulje të çmimit të karburantit me të paktën 8-10 lekë për litër, duke llogaritur dhe efektin e TVSH-së.
Ndërkohë, që nga fillimi i konfliktit, nafta nga 170-175 lekë për litër ka arritur aktualisht në 214 lekë për litër, ose 40-45 lekë më shumë, çka do të thotë se edhe nëse akciza ulet me 20%, çmimi sërish do të mbetet mbi 200 lekë për litër, në mos të shtrenjtohet më tej, nëse rritet në bursa.
Burimi: Monitor.al

