CNN i ka kushtuar një artikull tensioneve gjatë ditëve të fundit në veriun e Kosovës. Artikulli fokusohet fillimisht në kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti drejtuar NATO-s për heqjen e barrikadave të serbëve në veri. Kurti kërkoi që barrikadat të hiqen nga trupat e KFOR-it në Kosovë në mënyrë që të garantohet liria e lëvizjes për qytetarët. Kryeministri i Kosovës shprehu gatishmërinë që Kosova të kryejë këtë proces nëse prania e KFOR-it nuk e merr përsipër një detyrë të tillë.
CNN i kushton vëmendje sulmeve me bombë ndaj patrullës së EULEX-it, ndërsa rikujton dhe shkëmbimin e zjarrit mes policisë së Kosovës dhe eksponentëve serbë në digën e liqenit të Ujmanit. Gjigandi mediatik amerikan e konsideron si tejet të brishtë paqen në Kosovë, pasi veriu i saj mbetet një vatër konflikti konstante.
Artikulli sjell në vëmendje dhe deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç sipas të cilit dialogu me Kosovën po vështirësohet gjithnjë e më shumë nga kokëfortësia e drejtuesve politikë të Prishtinës. Për presidentin serb, problemet nuk kanë të sosur, pasi sipas tij, çdo marrëveshje paraprake shoqërohet me lindjen e një problem të ri.
CNN raporton po ashtu për arrestimin e një serbi, ish-pjesëtar i policisë së Kosovës i akuzuar për nxitje të akteve terroriste. Arrestimi i këtij ish-zyrtari të policisë dhe disa serbëve të tjerë, përshkallëzoi tensionet në veri të Kosovës. Serbët forcuan barrikadat, intensifikuan sulmet me bomba pa harruar njëkohësisht të kërkojnë lirimin e serbëve të arrestuar, thuhet ndër të tjera në artikullin e CNN.