Nga Sebastian Zonja
Televizionet kombëtare na lajmërojnë se ekspertët qeveritarë të ekonomisë sugjerojnë se Shqipëria duhet të zhvillojë diplomaci agresive ekonomike për të marrë punëtorë nga vende të treta. Edhe kryeministri Edi Rama na thotë se duhet të fillojmë të kërkojmë krahë pune nëpër Azi e gjetkë. Edhe fotografi Ben Blushi thotë se Rama duhet të shpallet mbreti i një monarkie tregtare. Çfarë ansambli interesant – një artist, një fotograf dhe një grup kalemxhinjsh që thonë se e ardhmja e këtij vendi varet nga ata që do vijnë!
Historiku
Në vitet ’60-të të shekullit të shkuar Gjermania dhe Franca filluan të marrin shumë emigrantë nga vende të treta. Gjermania mori kryesisht turq ndërsa Franca magrebinë. Duke qenë se kishin nevojë të madhe për krahë pune, politikanët filluan që emigrantët që vinin t’i largonin nga syri i publikut duke i çuar nëpër lagje të posaçme, që të mos hapeshin probleme. Ngjashëm siç rrinë sot emigrantët e ardhur te Astiri, në Linzë apo ndonjë periferi tjetër. Sot, pas kaq vitesh, vëmë re se emigrantët e dikurshëm në Gjermani dhe Francë kanë krijuar komunitete autonome që funksionojnë si shtet brenda shtetit. Kjo ka sjellë probleme të mëdha nëpër këto vende, teksa lëvizjet populiste dhe ekstremiste kanë në fokus emigracionin dhe dallimet fetaro-kulturore.
Ana teorike
Industrialisti gjerman apo francez kishte të njëjtën qasje me marksistët e kohës – njëra palë kërkonte krahë pune, tjetra kërkonte proletarë. Sa më shumë emigrantë, aq më shumë proletarë. Sa më shumë proletarë, aq më afër revolucioni. Ndërkohë, na rezultoi se sapo emigranti hoqi “prangat” e stomakut dhe mori pasaportën, iu kthye pyetjeve identitare për të kërkuar rrënjët. Nuk iu bashkua revolucionit marksist botëror.
Industrialistët e pasur me shprehjen se paraja nuk ka ngjyrë dhe e hedh ujin përpjetë kanë të njëjtën kërkesë – si të rrisin fitimet? Pikërisht këtë kemi keqkuptuar gjatë tranzicionit – tregu nuk ka vlera. Virtytet i ka njeriu dhe i indukton në treg. Këtë na thotë edhe Adam Smithi si filozof i etikës, se kapitalizmi u themelua kur tregu u pajis me vlera (për shembull, ndalimi i skllavërisë).
Modelet sot
Kemi modele si mund të ndërtohet një ekonomi kombëtare e shëndetshme. Për shembull, të vjen në mendje Lituania apo Danimarka. Nga Lituania mund të marrim modelet e investimit në arsim për të ndikuar në tregun evropian me krahë pune të kualifikuar. Këto vende investuan dekada më parë te informatika dhe sot kanë njerez të kualifikuar për kompanitë më të fuqishme teknologjike në botë.
Danimarka, për shembull, mund të merret si model për të treguar se investimi në kulturën vendase, duke shtuar fuqinë asimiluese të shtetit me shkolla dhe institucione, si edhe investimi tek çiftet e reja që të marrin banesa me pak kosto sapo martohen; financimi për rritjen e fëmijëve nga taksat shtetërore është model që ka funksionuar dhe ka krijuar kohezion të fortë, ajo që R. Putnam e quan “kapitali social”.
Shqipëri
Në fakt, kur dëgjojmë deklarata të këtilla, së fundmi edhe nga fotografi Ben Blushi, duhet të kuptojmë se nuk po flet Edi Rama, porse flet Shefqet Kastrati apo Samir Mane. Pikërisht këta janë ithtarët e një monarkie tregtare, ku mund të fitohet shumë pa prodhuar asgjë. Ata janë bankomati i Edi Ramës, Edi Rama është zëri i tyre.
Vendi ynë nuk ka fuqi asimiluese. Mësues nuk kemi. Arsimi është i dobët. Kombtarizmi është folklorik. Madje, ne nuk kemi mundur të integrojmë komunitetin rom, jo më të asimilojmë krahun e punës, atë që do mbetet pasi ta kenë marrë vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian, nga Malajzia, Bangladeshi, Pakistani apo Indonezia. Nuk do vinë gjyqtarët dhe inxhinjerët e mirë indonezianë në Shqipëri. I merr Gjermania dhe Franca ata. E merrni me mend vetë se ne do marrim punëtorët e krahut.
Pas 20 vjetësh, kur Edi Rama të jetë harruar dhe të na duket si burri i madh i kombit, problemet do t’i kemi ne si qytetarë. Do vërejmë geto kudo nëpër qytete. Miqtë e Edi Ramës do drekojnë nëpër resorte, si sot. Do rrinë te piçkëza e vogël e ministresësh Mirela Kumbaro, që na e tregonte në hartë nga foltorja e parlamentit.
Shiheni sot me kullat në Tiranë, në një qasje psikoanalitike, ku kryeministri Rama po rijeton rininë e humbur nën komunizëm, duke sjellë modelin amerikan të shekullit të shkuar.
Zgjidhja
Nuk ka asnjëherë zgjidhje të thjeshta për probleme të ndërlikuara. Zgjidhjet e thjeshta i kanë populistët dhe ekstremistët. Zgjidhja e vetme, siç na mësojnë vendet e tjera, është investimi në arsim dhe krijimi i kushteve të duhura për çiftet e reja që të ndërtojnë të ardhmen në Shqipëri. Që kjo të ndodhë duhet të ndryshojë struktura ekonomike. Kemi përpara krizën e rëndë të pensioneve që mund të shkatsrrojë ekonominë pas pak vitesh, po ashtu edhe mungesën e madhe të krahut të punës. Zgjidhjet që paraqet Edi Rama dhe ekspertët e tij të ekonomisë janë sa për ta fashuar plagën.