Nga Ermal Mulosmani

“Vetëm 5 minuta” ka qenë hiti më i njohur e rokstarit tetovar Agron Berisha. Një tekst naiv, ku autori i kërkonte një vajze të bukur një mundësi për t’u njohur si shans për t’u dashuruar. Rrallë mund të gjendet ndonjë shqiptar që nuk e ka dëgjuar një version të asaj kënge, që nuk e ka kënduar akapela nëpër klube nate apo nuk e ka përdorur në formë shpotie me miq a të afërm në kontekste nga më të ndryshmet. 

Por versioni më i jashtëzakonshëm i këtij hiti erdhi nga seanca e fundit e Parlamentit të Shqipërisë! “Vetëm 5 minuta” iu deshën deputetëve të maxhorancës që të miratonin Ligjin më të rëndësishëm të shtetit, Buxhetin e tij. 

Mbi 7 miliard euro u miratuan brenda pesë minutash! 

Ajo seancë do të shënojë padyshim më të shpejtën në botë ku Buxheti i Shtetit është miratuar ndonjëherë! Në fund të atij 5 minutëshi lebetitës, më mbeti në mendje një përshëndetje përçmuese e Kryeministrit me dorë në kokë. Ishte mënyra e tij për të shprehur supremacinë e pushtetit të votave ndaj çdo përpjekjeje opozitare të çfarëdo niveli dhune. Ishte një sfidë e plotë përbuzëse. 

Pas vetëm 5 minutash ai kishte dalë nga salla e Parlamentit duke lënë të hutuar e pa motiv…

*****

Opozita është fragmentuar në kushedi sa grupimetë vogla e fluide saqë askush nuk di me siguri se kush i përket kujt në mënyrë përfundimtare.

Grupimi i Partisë Demokratike të Lulzim Bashës, trashëgimtari zyrtar i logos dhe vulës së Partisë Demokratike, lundron në ujëra të qeta. Ata janë pak por të unifikuar, trashëguan me Vendim Gjykate logon dhe vulën e Partisë Demokratike. Nuk kanë asnjë merak për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, fajtorin e kanë gjetur qysh tani: Është përçarja e Sali Berishës për interesat e tij personale. Lulzim Basha për herë të parë në karrierën e tij politike si lider partie e di që do të jetë minorancë dhe askush nuk do t’i kërkojë llogari për këtë gjë. Kjo në fakt është edhe ëndrra e tij politike e tij: Një pushtet i pakushtëzuar nga rezultati zgjedhor! Ai ka një grupim prej 130 mijë-160 mijë votash në një elektorat prej 1.6 milionë votuesish. Pra diku te 10% të votave. Ky rezultat i konfirmuar nga zgjedhjet e fundit vendore mund të shkojë deri në 12%. 

Partia e tij ka grumbulluar një grup liberalësh  me ide pro perëndimore, me busull Amerikën dhe SPAK-un, që zbatojnë me përpikmëri orientimet e Ambasadorëve. Ata janë një “opozitë konstruktive” e pushtetit të Edi Ramës dhe presin momentin e tyre politik kur perëndimorët t’i “japin urdhër Ramës të ndajë pushtet me Bashën”. Ata nuk kanë shpallur asnjë objektiv për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe nuk e kushtëzojnë rizgjedhjen e kryetarit të partisë nga asnjë rezultat zgjedhor.  Vija editoriale e qëndrimeve të tyre është një ndarje e thellë me Sali Berishën dhe grupimin e tij, përkrahje e SPAK-ut (Prokurorisë së Posaçme) dhe e qëndrimeve amerikane. Mes dhunës së kartonave të pushtetit dhe dhunës piroteknike opozitare, deputetët e Bashës e gjejnë problemin tek e dyta. Ata nuk merren me shkakun e kësaj dhune por me pasojën e saj. Qëndrimi i deputetëve të këtij grupimi nuk ishte as sa qëndrimi i ambasadorëve ndërkombëtarë që kërkuan dialog mes palëve. Bashistët përkundrazi, dënuan dhunën e berishistëve. Ndoshta u ngutën pak se deklaratat e ambasadave erdhën të nesërmen e qëndrimit të tyre…

Ndarja e bashistëve është e thellë edhe me grupimin tjera të deputetëve demokratë, atë që udhëhiqet nga Gazmend Bardhi apo atë të Ilir Metës. 

Grupimi i Berishës, apo siç quhet “Foltorja”, ka grumbulluar rreth vetës besnikët e ish-kryeministrit. Ditët më të mira politike të këtj grupimi ishin në pjesën e parë të Lëvizjes, deri në zgjedhjet e Marsit 2022. Asokohe Berisha arriti të zhdukë çdo dilemë se kush kishte maxhorancën në elektoratin demokrat.  Ai arriti të marrë dy herë më shumë vota se Partia Demokratike duke i dhënë dërmën iluzioneve të mbështetësve të Bashës. Berisha provoi se emri i tij vlen më shumë sesa partia që ai kishte themeluar. Ai rezultat detyroi Lulzim Bashën të dorëhiqej nga partia dhe ishte momenti më i mirë për të shpëtuar Partinë Demokratike. Duhej vetëm edhe një hap tjetër unifikues, shmangia e Berishës dhe komandimi në hije prej tij përmes një emri tjetër. Siç kishte qenë deri atëherë. Do ishte një hap i zgjuar dhe përbashkues. Por euforia e fitores dhe pasiguria tek një lider tjetër e bëri të vazhdonte më tej si kryetar i grupimit të tij. Atë ditë filloi edhe rënia politike e Berishës. Zgjedhjet e 14 Majit konfirmuan se përtej faktit që Berisha-Meta janë maxhorancë brenda opozitës ata nuk mundet kurrsesi të luftojnë pushtetin e Edi Ramës. 

Grupimi i Berishës është edhe bërthama e rezistencës me çdo mjet ndaj pushtetit të Edi Ramës. Vendimet e fundit të SPAK-ut për arrestimin e dhëndrit të Berishës dhe kufizimet ndaj vetë Berishës e kanë radikalizuar qëndrimin në parlament. Përkundër thirrjeve për revolucion ndaj pushtetit të Ramës, ata e kanë kuptuar tashmë që këto thirrje nuk kanë mbështetjen e duhur në popull. Ndaj e kanë transferuar aksionin në parlament. Për të përligjur shkallëzimin e protestës në dhunë të jashtëzakonshme ndihmoi shumë edhe maxhoranca. Ajo refuzoi të miratonte një të drejtë kushtetuese të opozitës: Krijimin e komisioneve kontrolluese parlamentare! Kaq u desh që t’i vihej flaka detonatorit të dhunës. Grupimi i Berishës mbetet akoma bërthama e votës opozitare. Ata mund të kenë rënie nga rezultatet e 06 Marsit por akoma duket se kanë mbështetës në rendin e 250-300 mijë votave apo rreth 20% të totalit. 

Grupimi tjetër, i pakompaktësuar, fluid dhe i mjegullt politikisht, është grupimi i deputetëve rreth Gazmend Bardhit. Këta ishin përkrahës  të palëkundshëm të Lulzim Bashës deri në 06 Mars 2022. Mirëpo trandja e votave të 6 Marsit krijoi çarje të madhe me Bashën. Në peshoren e votave ata me siguri panë një shans për veten e tyre më shumë sesa një kauzë të drejtë politike. Gradualisht Bardhi me grupin e tij u bënë aleatë të hapur me Berishën pavarësisht retorikës ndarëse. Berisha e priti me ngazëllim këtë afrim. Janë të panumërta shpërndarjet prej profilit të Berishës të fjalimeve të Bardhit. Ndërkohë, mbështetësit e Bashë nuk kanë asnjë ekuivok në luftën e tyre ndaj grupimit të Bardhit duke e njëjtësuar me Berishën. Në fakt, ata e kanë gabim. Asnjëherë nuk dihet se ku mund të përfundojë ky grupim. Pesha elektorale e këtij grupimi nuk është e mundur të përcaktohet.

Grupimet e tjera janë ai i Metës dhe aleatët opozitarë. Këta janë në qejfin e tyre. Janë të baraslarguar nga të dya palët në pritje të zhvillimeve që sjell koha. LSI-stëve të Metës duket u ka rënë entuziasmi i parë për Berishën dhe kanë hallet e tyre të brendshme. SPAK-u u është sulur dhe nuk po u lë kohë për aksione politike. Duket se Meta ndryshe nga Berisha nuk e sheh te aksioni politik mbrojtjen nga SPAK. Gjithsesi, konsumi politik i të gjithë këtyre kryetarëve që nxjerrin veten deputet e ka bjerrur mbështetjen elektorale ndaj tyre. Ky grupim nuk shko më shumë sesa 100 mijë vota ose rreth 6-7% të elektoratit. Vetëdija për peshën e papërfillshme dhe katastrofën opozitare i ka bërë edhe më të heshtur e flegmatikë.

Në këtë hallakamë opozitare çdo ditë ikin njerëz të pashpresë. Retorika e analistëveve qeveritarë është e mbështetur te figura e konsumuar e Berishës dhe e Metës sa edhe te paaftësia e lidershipit të Bashës. Në opinion krijohet çdo ditë e më shumë bindja se problemi i vërtetë i këtij shteti janë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Lulzim Basha. Kjo bindje vazhdon në vitin e 11-të tëqeverisjes së Ramës. Prej kësaj propagande të artikuluar në megafonët e pushtetit vritet çdo shpresë opozitare. 

Partitë e reja që po krijohen duken shumë të brishta për të zënë vendin qendror opozitar dhe luftohen nga opozitarët më shumë sesa nga pushteti!

Kjo retorikë helmuese po relativizon  edhe vjedhjet galopante të eksponentëve rilindas. Le të vjedhë sa të dojë Rama dhe të tijtë, le të mbushen burgjet me ministra e deputetë socialistë, për sa kohë që përballë do jenë këta tre ne do zgjedhim Ramën. Kjo lloj propaganda antiopozitare çon në atë që Mero Baze dikur e ka quajtur monizëm me kostum pluralizmi  apo pluralizëm me leje. Prandaj edhe miratimi i projekt buxhetit në 5 minuta duhet parë në këtë kontekst, si një vendim formal në një vend kuasidemokratik.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *