E përditshmja britanike Daily Mail i ka kushhtuar një artikull të zgjeruar nismës së qeverisë shqiptare për amnistinë fiskale. Sipas medias në fjalë, ky vendim i qeverisë shqiptare do e kthejë vendin tonë në parajsë të parave të drogës.
”Një hetim i Daily Mail zbuloi se baronët e drogës që operonin në Britani kanë pastruar shuma të mëdha në vila luksoze, banesa, toka bujqësore, palestra, bare dhe madje edhe një pikë karburanti në Shqipëri. Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) – FBI e Britanisë – ka paralajmëruar se sasia e parave që largohen nga Britania e Madhe është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë katër ose pesë viteve të fundit, pasi bandat shqiptare të drogës duket se po dërgojnë para në shtëpi – theksohet në artikullin e Daily Mail.
Në vijim, artikulli sqaron se amnistia fiskale që pritet të miratojë qeveria shqiptare, do të mundësojë që bota e krimit të Britaninë e Madhe të pastrojë lehtësisht kapitalin e saj kriminal duke e dërguar në Shqipëri pasi amnistia fiskale nuk përfshin deklarimin e burimit të parave.
“Qeveria e vendit po prezanton një ‘amnisti fiskale dhe kriminale’, duke i lejuar këdo që të deklarojë pasuri deri në dy milionë euro pa pasur nevojë të zbulojë origjinën e parave të gatshme.”- citohet në artikull.
Daily Mail nuk ka asnjë dyshim se kjo nismë e qeverisë shqiptare lidhet vetëm me interesa të botës së krimit duke sjellë dhe raste individësh shqiptare të dënuar në Britaninë e Madhe të cilët kanë investuar paratë e krimit në Shqipëri, fokusuar kryesisht në sektorin e ndërtimit.