Dani Alvesh është duke u hetuar për sulm seksual ndaj një gruaje në një klub të njohur nate në Barcelonë.
Media spanjolle ABC duke iu referuar burimeve të policisë katalanase bën me dije se tashmë ka nisur një hetim zyrtar mbi pretendimet e gruas në fjalë e cila ishte ankuar tek personeli i sigurisë së klubit të natës se një person e kishte sulmuar seksualisht.
Sipas medias në fjalë, stafi i sigurisë kishte verifikuar pretendimet e gruas dhe ajo kishte identifikuar pikërisht Dani Alveshin si personin që e kishte sulmuar. ABC e vijon raportimin duke theksuar se policia kishte mbërritur në vendngjarje pas disa minutash, por ndërkohë Alvesh ishte larguar.
“Ne po hetojmë një sulm të dyshuar seksual në një klub nate në Barcelonë që thuhet se ka ndodhur në orët e para të së shtunës. Gruaja që bëri pretendimin është pyetur nga policia, por ajo ende nuk ka paraqitur një ankesë zyrtare me shkrim në një stacion policie.” – thuhet në reagimin e policisë.
Dani Alvesh dhe njerëz të afërt të tij e kanë mohuar akuzën, por policia po vijon me hetimet rreth ngjarjes.
Dani Alvesh theu një rekord në botërorin e Katarit duke u bërë lojtari më i vjetër që luan në një kompeticion të tillë në moshën 39-vjeçare, por tashmë ikona e Brazilit dhe Barcelonës duhet të zgjidhë telashe të sikletshme në jetën e tij.