David Uisner, i ngarkuari më punë i SHBA-ve në vendin tonë deklaroi në një intervistë për “Panorama” se ai nuk komenton deklaratat e Sali Berishës lidhur me pretendimet se kryeministri Edi Rama drejton SPAK-un dhe e përdor atë si kamzhik për kundështarët politik.
Diplomati amerikan sqaroi se vendi i tij financon reformën në drejtësi me 40 ekspertë të trajnuar nga FBI dhe DEA të angazhuar pranë SPAK-ut.
“Nuk do t’i përgjigjem dikujt që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion madhor. Kemi një personel me mbi 40 veta të financuar nga SHBA në Shqipëri për të mbështetur dhe këshilluar institucionet e ligjzbatimit dhe drejtësisë. Për ju edhe për ne është një çështje e sigurisë kombëtare. Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë zhvillimin ekonomik, zmbrapsin investimin e huaj, minojnë demokracinë dhe shtyn ata që janë të rinj e ambiciozë që të kërkojnë mundësi në vende të tjera.” – tha Uisner.