Nga Arbër Zaimi

Simbas BBC-së, në një prej takimeve të djeshme në Zvicër, sekretari për tregti i SHB Howard Lutnik u paska thënë europianëve se në terma ekonomikë “you are dead”. Thuhet se të pranishmit protestuan dhe e ndërprenë fjalën e tij disa herë ndërsa presidentja e BQE-së Christine Lagarde është çuar dhe ka ikur prej panelit. Aq turbullim shkaktoi ky fjalim sa që organizatorët u detyruan ta ndërpresin takimin andej nga gjysma e kohës së parashikuar.

Kur Trumpi para disa ditësh kërcënoi me tarifa europianët për punë të Groenlandës, pati zëra që edhe Europa mund të aktivizojë paketat e saj tarifore e mjete të tjera presioni ekonomik. Puna është se Europa këto mjete nuk i aktivizon dot shpejt, për shkak se vendimmarrja europiane është pluricentrike, e ngadaltë, shpesh kërkon unanimitet pra bëhet e pamundur. Ndërsa në Amerikë, ashtu si në ekonominë tjetër të madhe, pra në Kinë, vendimmarrja politike mund të jetë shumë më e shpejtë, për mirë a për keq.

Europa gjendet sot midis dy poleve gravitacionale që teksa garojnë me njëra-tjetrën, nxjerrin avantazh strategjik dhe ekonomik prej vendimmarrjes së centralizuar hera-herës arbitrare. Ky lloj presioni do ta çojë ndoshta Europën drejt centralizimit, do të duhet të jetë gjithnjë e më pak OJQ e gjithnjë e më shumë SHTET, që do të thotë të dijë ku i ka kufijtë territorialë e zonat e influencës, sa e ka demografinë dhe ekonominë e ushtrinë, e si i zhvillon ato.

Për momentin udhëheqësit europianë nuk janë të gatshëm të veprojnë siç mund të kenë dëshirë, madje as siç u leverdis. Duket sikur duan të blejnë kohë. Çështja është, a mund të blihet kohë prej dikujt që është i përfshirë në një garë shpejtësie?

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *