Seanca e gjatë plenare pati diskutime mbi votën e mërgatës në zgjedhjet e 11 majit.

Përfaqësuesit e opozitës, në krye me Sali Berishën, kërkuan që emigrantët të cilët posedojnë vetëm dokumentet e shteteve ku jetojnë të mos përjashtohen nga e drejta e votimit në zgjedhjet parlamentare.

Berisha tha se nëse shumica në pushtet nuk jep pajtimin e saj për këtë propozim, opozita do të bllokojë procesin e votimit të mërgatës.

Taulant Balla u shpreh në emër të pozitës se është vetë opozita ajo që synon të gjejë kleçka për të sabotuar votimin e mërgatës, pasi sipas tij shumica e kësaj vote do të shkojë për Partinë Socialiste në pushtet.

Procesi i aplikimeve për votën e mërgatës ka shfaqur jo pak probleme, pasi një numër i lartë aplikimesh janë refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të gabimeve në teknikalitetet e aplikimit.

KQZ-ja pritet të nisë së shpejti një fushatë të re informimi lidhur me hapat që duhen ndjekur në mënyrë që aplikimet të certifikohen nga ky institucion.

By Editor