Beograd – Në një klimë të rënduar politike dhe shoqërore në Serbi, afro 20 shtetas kroatë janë dëbuar ose janë në pritje të dëbimit nga autoritetet serbe gjatë tre-katër muajve të fundit. Mes tyre janë edhe Nikolla Francetiç dhe Arien Stojanoviç-Ivkoviç, të cilët, sipas përfaqësuesve diplomatikë të Kroacisë, janë viktima të një qasjeje me motive politike, që po tensionon më tej marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje.

Vendimet për dëbim janë marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nën arsyetimin e “rrezikut për sigurinë kombëtare”, por pa dhënë ndonjë argument specifik mbi mënyrën sesi këta individë përbëjnë një rrezik real. Ky mungesë transparence ka nxitur reagime të ashpra nga diplomacia kroate dhe organizatat për të drejtat e njeriut.

“Pas dëbimit qëndron politika”

Nikolla Francetiç, i cili ka jetuar dhe punuar në Beograd për shtatë vite pa ndonjë incident, tregon se u thirr papritur nga drejtoria për të huajt dhe më pas u përball me një vendim për dëbim. “Asnjëherë nuk kam pasur probleme. Mendoj se pas dëbimit tim qëndron politika, sepse asgjë tjetër nuk ka kuptim,” tha ai për gazetën kroate Jutarnji list.

Ngjashëm është edhe rasti i Arien Stojanoviç-Ivkoviç, e cila jeton në Serbi prej 12 vitesh dhe ka familje në këtë vend. Aktualisht, ajo është në pritje të një vendimi të gjykatës administrative, ndërsa përballet me pasiguri për të ardhmen.

Ambasadori kroat: Një dramë njerëzore dhe politike

Ambasadori i Kroacisë në Serbi, Hidajet Bishçeviç, e cilëson këtë valë dëbimesh si një “dramë njerëzore” që po luhet mbi bazën e kalkulimeve politike. “Shumica e këtyre shtetasve kanë jetuar në Serbi për më shumë se një dekadë, kanë krijuar familje, janë të stabilizuar profesionalisht dhe kanë blerë banesa. Pas këtyre vendimeve burokratike fshihen histori njerëzore të dhimbshme,” deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

Bishçeviç ka konfirmuar se autoritetet kroate kanë kërkuar shpjegime përmes kanaleve diplomatike, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga autoritetet serbe. Ai shton se Brukseli është informuar dhe BE-ja ka shprehur shqetësimin e saj.

Protestat studentore dhe akuzat e paprovuara

Dëbimet ndodhin në një kohë kur Serbia po përballet me protesta masive të studentëve, të cilët kanë bllokuar më shumë se 60 fakultete në mbarë vendin. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë kanë sugjeruar, pa ofruar prova, se pas protestave qëndron Kroacia – një pretendim i hedhur poshtë si nga Zagrebi, ashtu edhe nga vetë studentët protestues.

“Po e shohim sërish atë histerinë antikroate në media, e cila nuk shqetëson askënd,” tha Sofija Todoroviq nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut. Sipas saj, kjo atmosferë e ngarkuar mund të çojë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe në krijimin e një klime frike ndaj shtetasve kroatë.

Rreziku për rajonin dhe përparimi drejt BE-së

Përfaqësues të shoqërisë civile, si Maja Stojanoviq nga organizata Nismat Qytetare, paralajmërojnë për pasoja më të gjera. “Kjo propagandë e brendshme që e kemi parë në vitet ’90 po rikthehet. Ajo mund të ketë pasoja serioze jo vetëm në marrëdhëniet Kroaci–Serbi, por edhe në rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”

Serbia ka hapur negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2014, por që nga viti 2022 nuk ka hapur asnjë kapitull të ri. Veprime të tilla, sipas zyrtarëve evropianë dhe kroatë, e vështirësojnë më tej këtë rrugëtim.

Ambasadori Bishçeviç përmbyll se dëbimet nuk do të mbesin pa pasoja: “Krijohet një atmosferë mosbesimi. Njerëzit ndihen të pasigurt dhe pyesin veten nëse mund të udhëtojnë në Serbi. Në këtë klimë, nuk mund të pritet ndonjë përparim serioz në marrëdhëniet mes dy vendeve.”

By Editor