Prishtinë – Publikimi i deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë ka nxjerrë në pah dallime të theksuara mes atyre që janë pasuruar dhe atyre që pas katër vjetësh kanë më pak mjete në dispozicion.
Në mars të vitit 2021, Qeveria “Kurti II” mori mandatin e plotë, të cilin vazhdon ta ushtrojë edhe sot. Kryeministri Albin Kurti dhe 15 ministrat e tij kanë dorëzuar deklarimet e pasurisë për vitin aktual pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Nga të dhënat e publikuara, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, del të jetë ndër më të pasurat në qeveri, duke raportuar mbi 191 mijë euro para të gatshme në llogari bankare – shifër kjo që nuk paraqet rritje krahasuar me deklarimin e saj fillestar në vitin 2021. Ajo kishte sqaruar se këto të ardhura i kishte fituar nga puna e mëhershme si konsulente dhe ligjëruese në organizata të ndryshme, përfshirë Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Për shumicën e kabinetit qeveritar, burimi kryesor i të ardhurave mbetet paga nga pozita shtetërore. Përveç mjeteve financiare, të gjithë zyrtarët janë të obliguar të deklarojnë edhe pasurinë e paluajtshme në emër të tyre ose të familjarëve të afërt.
Në procesin e deklarimit përfshihen jo vetëm anëtarët e Qeverisë, por edhe liderët e partive politike dhe zyrtarë të tjerë të lartë publikë. Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK), Ramush Haradinaj (AAK), presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kanë dorëzuar gjithashtu deklarimet e tyre.
Analiza e të dhënave tregon se disa prej tyre kanë shtuar pasurinë, ndërsa të tjerë kanë shënuar rënie. Krasniqi ka deklaruar se të vetmet të ardhura që merr janë nga paga publike. Në anën tjetër, Haradinaj ka vazhduar të përfitojë nga qiratë e pronave të tij dhe ka investuar në pasuri të reja të paluajtshme.
Deklarimi i pasurisë është obligim ligjor në Kosovë që nga viti 2007. Sipas ligjit aktual, zyrtarët janë të detyruar të raportojnë pasurinë brenda 30 ditësh nga marrja e detyrës dhe më pas në baza vjetore. Mosdeklarimi i pasurisë ose deklarimi i rremë mund të dënohet me gjobë ose burgim, varësisht nga shkalla e shkeljes.
Megjithatë, deri tani, asnjë zyrtar nuk është dënuar me burgim për këto shkelje. Rasti i vetëm i penalizimit mbetet ai i Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila në fund të vitit 2022 u dënua me 700 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit ligjor për vitin 2020.
Në të njëjtën kohë, APK, përmes shortit, zgjedh zyrtarë për kontroll të detajuar të pasurisë së deklaruar – proces ky që, pavarësisht obligimeve ligjore, ka pasur pak ndikim në ndëshkimin efektiv të mosrespektimit të ligjit.
Në mungesë të transparencës dhe ndëshkimeve të ashpra, procesi i deklarimit të pasurisë vazhdon të jetë më shumë një formalitet sesa një mekanizëm real për luftimin e korrupsionit në Kosovë.