Fragment i njërës nga bisedat me Adem Demaçin më 1995
te libri “Mozaiku i mbuzur”, Konica, Prishtinë, 2022, f.108 -109
* Ndër deklarimet tuaj të atëhershëm, na ka mbetur në kujtesë edhe ajo për zotëri Rugovën, tek i cili bënit të vetmen vërejtje: se po pi shumë duhan!
– Po them, unë për z.Rugova nuk kam ditur shumë. Thashë se i kam njohur ato polemikat e tij, të cilat i kam ndjekur nga burgu. Edhe sot e kësaj dite unë kam konsiderata për z. Rugova. Ai si njeri mendoj se është me të vërtetë jo vetëm njeri i butë, por edhe zemërmirë, që s`ia don të keqen askujt. Mirëpo këtu është një e keqe tjetër, se njeriu kur futet në mekanizmat partiakë dhe burokratikë, shpeshherë e merr me vete rrjedhja dhe e bart andej kah nuk ia ka ëndja. Individi që hyn në atë mekanizëm duhet t`i shërbejë deri në fund, sepse edhe ai mekanizëm i shërben atij. Ky lloj shërbimi është reciprok, prandaj edhe njeriu më i mirë, kur i shërben një sistemi jo të mirë, dalëngadalë fillon të bëjë punë dhe veprime jo të mirë. Pra edhe ato bëhen vepra të atij njeriu, sado që ai mund të ketë menduar për të mirë. E kam thënë me mija herë se më e poshtër se politika nuk ka. Ajo të bën edhe kundër vetvetes.
Unë kam votuar për z. Rugova. Nuk kam dashur të jem konkurrent i tij. Edhe atëherë kam menduar se populli ynë duhet të mblidhet rreth dikujt, duhet të ketë një qendër. Populli ynë më në fund duhet të mësohet të organizohet duke e respektuar një njeri, prej të cilit do të rrjedhin pastaj të gjithë veprimet, dirigjimet dhe drejtimet. Dihet se organizimi nuk është kurrgjë tjetër përveç një njeri të japë urdhra dhe të tjerët t`i zbatojnë. Është shumë e rëndësishme që ai i cili jep urdhra të jetë i gatshëm t`i japë ata dhe të dijë se ç`urdhra jep. Me kalimin e kohës, që nga viti 1991 e këndej, unë zura të dëshpërohesha kur shihja se z. Rugova nuk merrte vendime. Ai çdo gjë shtynte duke thënë se do të bëjmë këtë e do të bëjmë atë, ndërkaq nuk bëhej asgjë. Një udhëheqje që nuk merr vendime as që mund të merret me mend!
* Tash del e qartë se proceset demokratikë ndër shqiptarët u morën me shumë entuziazëm dhe eufori, kurse në anën tjetër u punua tepër pak për të ndërtuar një realitet politik në shkallën që kërkonte momenti historik kombëtar?
– Këtu fjala është për inteligjencien tonë. Nuk di sa është e udhës që të kërkojmë mënyra për ta arsyetuar atë. Populli ynë ka qenë vazhdimisht i gatshëm të punojë dhe të flijohet. Këtë më mirë se unë nuk e di askush tjetër. Mirëpo problemi është se inteligjencia jonë nuk ishte e përgatitur sa duhet, sepse të gjithë pushtuesit tanë nuk kishin lejuar që të formohej një inteligjencie e mirëfilltë, e cila do të luante rolin shumë të vështirë, duke marrë përsipër realizimin e detyrave të rënda që i takonin. E vërteta është se të gjithë ishim të papërgatitur. Edhe mua, sapo kisha dalë nga burgu, shumë njerëz më kishin thënë të formoja partinë dhe të veproja direkt. Atyre u përgjigjesha se tashmë e kishim një lëvizje dhe rreth saj duhet të mblidheshim të gjithë, duke bërë përpjekje që të ruheshim nga përçarjet dhe ndasitë e mëtejshme. Iluzionin tonë se kjo lëvizje e përgjith-shme popullore, përkatësisht organizimi politik rreth LDK-së, do të vepronte si një front i përbashktë, duke mpleksur në vete gjithë vlerat tona njerëzore, u shprish shumë shpejt. Posa u instaluan njerëzit aty, menjëherë filluan të mendonin për njëfarë pushteti, i cili do të vinte nesër dhe zunë ta mëkonin popullin me iluzione se, ja, edhe pak ditë dhe gjithçka do të rregullohet. Në këtë mënyrë i qitën njerëzit nga TVP-ja, duke i mashtruar se së shpejti do të vijë Amerika dhe do të na kthejë të gjithëve, prandaj s`keni pse të hezitoni të qëndroni kështu si ju themi ne. Këtyre mendjelehtësive në mënyrë poashtu mendjelehtë zunë edhe t`u besonin njerëzit. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur dihet fakti se kjo inteligjencie jona nuk ishte e përgatitur për furtunat në të cilat lypsej të hynte. Ajo e kishte prirjen t`u besonte verbërisht mendjelehtësive të cilat e rrethonin, prandaj edhe dolën rezultate të tillë të dobtë.
Nëqoftëse duam ta arsyetojmë inteligjencien tonë, këtë gjë mund ta bëjmë fare lehtë. Nuk ishte ajo fajtore pse robëruesi nuk lejoi të krijohej një inteli-gjencie e madhe dhe e vërtetë shqiptare. Një pjesë e madhe e saj doli me diploma pa mbulesë, prandaj edhe nuk mundi të luante rolin që i takonte.
Publikoi: Shaip Beqiri