Fitorja e së djathtës në zgjedhjet parlamentare në Itali është pritur dhe interpretuar në mënyra të ndryshme. Skena politike italiane duket se ishte përgatitur për këtë ndryshim tektonik në  riformatiminin e skenës politike bazuar dhe në sondazhet paraprake që rezultuan shumë të përafërta në përfundime me verdiktin e sovranit në kuti. Ashtu si suksesi i Donald Tramp në Amerikë, ai i Boris Xhonson në Angli dhe tashmë dhe i Xhorxhia Meloni në Itali, në ligjërimin publik shqiptar shërbejnë si arena e radhës ku përplasen fort format e kurrsesi përmbajtjet. E vetshpallura e djathtë shqiptare sërish po thekson nevojën e reflektimit shoqëror rreth nevojës së rikthimit të së djathtës në pushtet. Ky reflektim duhet të vijë si rrjedhojë e asaj çka po ndodh në vendet e tjera duke mos u fokusuar pothuajse asnjëherë në nevojën e një debati të mirëfilltë ideologjik përqendruar në dy premise:

Sa e djathtë ishte e djathta shqiptare në 13 vitet e qëndrimit në pushtet?

Sa e djathtë është e djathta shqiptare sot?

Shqipëria e dalë nga 45 vite diktaturë, në fillimet e tranzicionit u ballafaqua me nevojën e disa proçeseve politike. Së pari, Shqipërisë i nevojitej vendomëria e ndarjes me të kaluarën çka do të thoshte hapje e dosjeve të krimeve të diktaturës, proçes ky i jetësuar në shumë vende të ish-lindjes komuniste. Ky detyrim moral e historik i së djathtës shqiptare nuk u përmbush as në mandatin e parë në pushtet, as në rikthimin e dytë në krye të vendimmarrjes politike shtetërore. Ky dështim vetëm sa rriti skepticizmin e shtoi dyshimet e arsyeshme mbi profilin e vërtetë politik të së djathtës shqiptare në radhët e së cilës po ashtu u panë të militojnë e të marrin funksione qeverisese jo pak ish-funksionarë e shërbëtorë të diktaturës.

Shteresa e ish të perndjekurve politikë të ish-regjimit komunist në fillimet e para të pluralizmit ishte lokomotiva e së djathtës shqiptare, kuptohet në rrafshin elektoral. Përfaqësimi i kësaj shtrese në pozitat drejtuese dhe në ato të ushtrimit të pushtetit mbeti gjithnjë i kufizuar dhe në strukturën uniforme mbështetëse të së djathtës, gradualisht lindën pakënaqësitë, ndasitë e deri në thyerje që mbeten të përhershme.

Një tjetër anomali e theksuar e së djathtës shqiptare ishte dhe qasja ndaj ish-pronarëve të grabitur e shpronësuar dhunshëm nga ish-diktatura. I famshmi ligj 7501, jo vetëm që kufizoi kthimin e pronës tek pronari, por ishte premise e një konflikti social me pasoja dramatike në vendin tonë. Konfliktet rreth pronësisë kanë shkaktuar mijëra viktima në këto tre dekada tranzicion të pambarimtë.

E djathta ideologjike e sanksionon të drejtën e pronës si të drejtë natyrore, të dhënë nga vetë Zoti, e ku individi përmes shtetit si garant e ushtron këtë të drejtë. E djathta shqiptare ka dështuar të përmbushë një imperativ ideologjik, pra mund të thuhet pa dorashka se ka sabotuar vetë thelbin e vet ideologjik. Paaftësia e formësimit dhe jetësimit të një identiteti ideologjik të qartë gradualisht prodhoi dhe rënien e parë nga pushteti për të djathtën shqiptare. Ajo u rikthye sërish në pushtet pas kalbëzimit të qeverisjes së majtë në korrupsion e papërgjegjshmëri të gjithanshme institucionale.

Rikthimi i dytë në pushtet ofroi të njëjtën rezyme. E djathta shqiptare sërish nuk arriti të kristalizojë një identitet të sajin ideologjik. Mungesa e vullnetit për t’u ndarë një herë e mire nga e kaluara përmes një lustracioni të mirëfilltë, mungesa e çdo vendimmarrje në funksion të dekomunistizimit, dështimi i përsëritur për zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe arroganca sistematike ndaj shtresës së ish të përndjekurve krijuan çarjen përfundimtare mes entiteteve të supozuara elektorale dhe një partie tashmë mirëfilli klienteliste e krejt pragmatiste me një diskur ideologjik krejt populist e demagogjik të shkëputur plotësisht nga realiteti.

Orvatja e tretë e së djathtës për rikthimin në pushtet nuk po shoqërohet me domosdoshmërinë e një identiteti ideologjik të qartësuar me politika e ofrim zgjidhjesh reale së pari në funksion të unifikimit të segmenteve shoqërore potencialisht votuese të saj. Kjo shterpësi permanente e së djathtës shqiptare tashmë duket si garanti i stërzgjatjes së pushtëtit të së majtës shqiptare, e majtë e cila ka gjeneruar një korrupsion industrial gjatë viteve të qeverisjes së saj.

Euforizmi për fitoren e së djathtës italiane në thelb shpalos mjerimin faktik të së djathtës shqiptare. E djathta italiane u votua për kauzat e saj, sado të debatueshme qofshin ato. Ajo e ka të kopsitur raportin ideologjik me segmentet shoqërore të cilat beson se i përfaqëson ideologjikisht. E djathta shqiptare vijon të mbulojë këtë dështim të sajin proverbial me retoriken e konsumimit të pushtetit, retorikë kjo e mbështjellë me mediokritetin e devizës se askush nuk mund të na privojë nga radha për të qeverisur. Merita si kriter i mbërritjes në pushtet mbetet po kaq e deklasuar sa vetë mbështetësit organikë të së djathtës shqiptare kryekëput të braktisur në idealet e tyre.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *