Një urdhër fillestar nga Prokuroria e Ferizajt, pasuar nga një tjetër urdhër i Prokurorit të Shtetit në Kosovë, çuan në sekuestrimin e 100 objekteve, kryesisht vila dhe hotele në zonën turistike të Brezovicës. Prokuroria e Kosovës ka ngritur dyshime se këto objekte janë ndërtuar në shkelje të ligjit dhe se për ndërtimin e tyre ka patur dhe të tjera praktika të paligjshme përfshirë dhe ryshfetin e dhënë për zyrtarë të ndryshëm shtetërore. Zona turistike e Brezovicës, njohur ndryshe si parku kombëtar “Sharri” është zonë e mbrojtur me ligje të posaçme miratuar nga kuvendi i Kosovës, ligje të cilat në arsyetimin e Prokurorisë së Kosovës janë shkelur duke çuar në degradimin mjedisor të një zone të mbrojtur me ligj.
Mediat në Kosovë aludojnë së pronarët e vërtetë të këtyre objekteve të sekuestruara mund të jenë politikanë dhe biznesmenë me ndikim në vend. Prokuroria nga ana e saj ishte e rezervuar në detaje duke u mjaftuar me lajmin se bashkë me objektet janë konfiskuar dhe shuma të konsiderueshme parash, por pa dhënë emra, detaje dhe hollësi shtesë. Objektet janë vendosur në sekustro të përkohshme deri në përfundimin e hetimit lidhur me këtë proces.