Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) bashkë me forca të shumta pollicore u rikthyen sërish në ambientet e Prestige Resort në Durrës. News 24 raporton se kontrolli është kryer në mënyrë të papritur, pa procedura paraprake dhe pa informim. Po i njëjti burim raporton se pushuesit dhe stafi i këtij resorti janë nxjerrë me forcë nga policia jashtë ambienteve të resortit.
Drejtori i Informacionit në News 24, Robert Rakipllari e konsideroi këtë ngjarje si dënim me vdekje ndaj lirisë së medias duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për revansh ndaj mediave News 24, Balkanweb dhe Panorama.
“Me këtë kryeministër dhe këtë qeveri nuk di se çfarë të presësh. Qendra e Tiranës është mbushur me ndërtime pa leje pa fund dhe nuk kemi të tilla skena. Ndërtimet pa leje lulëzojnë në të gjithë bregdetin. Kryeministri nuk e ka problemin te vendosja e ligjshmërisë. Ai kërkon të mbyllë gojën dhe të vendosë diktatin e vet mbi shoqërinë shqiptare. Ky është një alarm për Shqipërinë. Kur kjo i ndodh një botuesi të rëndësishëm si Irfan Hysenbelliu, mendoni se çfarë mund t’i ndodhë qytetarëve. Kjo që po ndodh sot është një dënim me vdekje për lirinë e medias.”- deklaroi Rakipllari.
Kjo është hera e dytë që IMT rikthehet në ambientet e Prestige Resort, pasi fillimisht prishi dy pishina të
konsideruara pa leje në fillim të muajit shtator.