Juventusi mori një dënim të rëndë nga Komisioni i Apelit pranë Federatës Italianë të Futbollit i cili u hoqi bardhezinjve 15 pikë në tabelën e renditjes pas konfirmimit të akuzave për mashtrim me bilancin financiar të klubit.
Ky dënim ka shkaktuar jo pak tronditje në ambientet e Zonjës së Vjetër, që tashmë e sheh veten në vendin e 10-të të renditjes me 12 pikë larg zonës champions.
Situata për rekordmenët e futbollit Italian mund të përkeqësohet pasi UEFA ka në procedim një tjetër hetim lidhur me respektimin e rregullave të Fair Play-it financiar nga Juventusi.
Për të qetësuar ambientin në klub ka menduar tekniku, Masimiliano Alegri. Ai theksoi se do të jetë pjesë e Juventusit pavarësisht dënimit të marrë duke nënvizuar se 12 pikë distancë nga zona champions nuk janë të pamundura për t’u rikuperuar në këtë fazë të sezonit.
“Unë jam trajneri i Juventusit dhe do të jem trajneri i Juventusit, vetëm nëse më largojnë. Në momente të vështira duhet të marrësh përsipër përgjegjësi për të bërë mirë. Kur je në momente të pozitive të gjithë jemi të zotë.” -u shpreh Alegri.