Gazetari Osman Stafa denoncoi mungesën e barnave në Spitalin Onkologjik.
Stafa publikoi mesazhe të një pacienti që trajtohet në këtë spital, ku ai njoftohet nga mjekët për të mos u paraqitur, pasi nuk ka barna për mjekim.
Sipas Stafës, ky spital është kthyer në një Call Center që njofton pacientët të mos paraqiten.
Denoncimi i plotë i gazetarit:
Zyrtarisht, ne shikojmë që në profilin e saj, zonja Koçiu është në fushatë, domethënë kërkon votat e shqiptarëve. Ajo është ministrja e Shëndetësisë dhe, në fakt, po e shikoja këto ditë teksa qytetarët—unë i kam publikuar vetë mesazhet e tyre, të cilat janë të konfirmuara—flasin për mungesën e medikamenteve.
Një qytetar më shkruan:
“Mirëmëngjes, Osman! Më morën në telefon dhe më njoftuan që mjekim nuk ka. Nuk po shkoj fare në spital, faleminderit.”

Çfarë kanë bërë? Kanë krijuar një sistem të tillë që i lajmërojnë qytetarët të cilët vuajnë nga kanceri, duke u thënë që në momentin kur ka mungesë të medikamenteve: “Mos hajde.”
Pra, mjekët janë kthyer në një call center! Mjekët lajmërojnë pacientët: “Mos u paraqitni në spital, sepse nuk ka medikamente.”
E pyes qytetarin:
“Çfarë medikamenti ke nevojë dhe sa kohë ke pa bërë kimioterapi?”
Më thotë: “Afro 2 muaj.”
Është një pacient që vuan nga kanceri i gjakut. Medikamenti që i nevojitet: Daratumumab.
Ky është vetëm një nga rastet.
Një tjetër rast skandaloz në Onkologjik është fakti se nuk kanë mundur të sigurojnë një medikament jetik për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit.
Bëhet fjalë për Phesgo, një medikament klinikisht i provuar me efikasitet të lartë për pacientet me këtë sëmundje.
Sipas raportimeve që më vijnë, në mungesë të Phesgo-s, pacientet trajtohen me Herceptin.
E dini çfarë rreziku krijon kjo? Një mjek nga Onkologjiku më ka shkruar dhe më ka deklaruar:
“Osman, situata në Onkologjik po përsëritet. Janë gra dhe vajza që kanë nisur trajtimin në linjën e parë me Phesgo. Ndërprerja e tij krijon te pacientet rezistencë qelizore. Qeliza bëhet e pandjeshme kur ti e fut barin kur të dojë Albana Koçiu.
Kur ky medikament ndërpritet, rritet rreziku i progresit të sëmundjes, sepse ai bar e mban qelizën të mos shumëzohet.
Herceptina nuk e bën punën e Phesgos. Nuk është zëvendësues. Është më mirë sesa asgjë, por rezultatet që arrin Phesgo, Herceptina nuk i arrin. Ndaj, zëvendësimi i Phesgo-s me Herceptin është kriminal. Është një përpjekje për të fshehur mungesën e kimioterapisë.”