Milani dhe Interi do të përballen nesër në finalen e Superkupës së Italisë, në një derbi që premton luftë të fortë sportive.
Milani kaloi në gjysmëfinale Juventusin, në një sfidë ku debutoi në stol trajneri Serxho Konseisao.
Ky i fundit ka besim para përballjes me rivalët e qytetit për trofeun e parë sezonal, duke theksuar se Milani e respekton Interin, por nuk i frikësohet. Konseisao shton se historia e Milanit është ajo e një skuadre finalesh.
“Ne duhet ta shikojmë Interin me përulësi, por jo me frikë. Me një dëshirë të madhe për të treguar veten, për të garuar dhe për të fituar. Është një finale. Edhe nëse është një lojë e bukur apo jo, objektivi është të fitojmë. Milani është një klub i madh, i mësuar me ndeshje si kjo. Por ky çast, kjo finale, janë të rëndësishme për lojtarët. Të mundnim Juven, duke ndërtuar nga pas, duke pasur një pjesë të parë të dobët dhe më pas treguam personalitetin tonë në pjesën e dytë, ishte shumë domethënëse,” – u shpreh Serxho Konseisao.