Nga Enver Bytyçi
Duke komentuar vizitën e shefit të CIA-s amerikane, William Burns, në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, këshilltari i Edi Ramës, Baton Haxhiu ka lëshuar si gjithnjë mllefin e tij për këtë vizitë. Nga një koment i tij në portalin e tij, Albanian Post, Haxhiu shkruan se “Aleksandar Vuçiq, Milorad Dodik dhe Albin Kurti, këta vëllezër politik, përpiqen të navigojnë mes dyerve të mbyllura të shërbimeve të inteligjencës, duke kërkuar marrëveshje të fshehta në vend të negociatave të hapura dhe institucionale”! Thelbi i ankesës së këshilltarit të kryeministrit të Shqipërisë ka të bëjë me “fshehtësinë” e bisedimeve midis Kurtit dhe William Burns. Duket sikur ai dhe shefi i tij në Tiranë paskan pritur që Drejtori i CIA-s të shtrohet si McGonigal në tavolina gostie me Safet Gjicin në Kukës!
Se nga reagimi i Baton Haxhiut vërehet qartë pakënaqësia dhe dëshprimi i thellë për vizitën dhe takimin e kryeministrit Kurti me njeriun e fuqishëm të SHBA-ve, kjo nuk ka nevojë për koment. Se Batoni shpreh gjithashtu gjendjen emocionale edhe të Edi Ramës, kjo gjithashtu është e kuptueshme dhe për mua krejt normale, pasiqë shefi i Albanian Post është i vetmi që e ka nis punën që ditën e parë me 18 mijë euro në muaj në zyrën e shefit të ekzekutivit shqiptar dhe po e mbyll po në atë zyrë. Eshtë i vetmi bashkëpunëtor i Edi Ramës që numëron si këshilltar i tij, po aq ditë sa Rama është kryeministër!
Por se dikush në kabinetin e kryeministrit të Shqipërisë do të arrinte ta rendiste Albin Kurtin me Aleksandër Vuçiq dhe Milorad Dodik, kjo nuk pritej, përtej surprizave që të japin vazhdimisht këta kllounë të politikës shqiptare. “Kurti navigon mes dyerve të mbyllura të shërbimeve sekrete”, thotë Batoni. Dhe në këtë navigacion fut edhe Milorad Dodikun, i cili nuk ka pasë shansin ta takojë e të bisedojë me William Burns. Qëllimisht që të krijojë një paralele midis tyre.
Paralelja nuk është e rastësishme. Ai dhe Edi Rama duan të çojnë sinjale te dikush se “Kurti, Dodik dhe Vuçiq janë shkaktarët e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor” dhe se amerikanët do të “duhet të rikthehen te besimi se Edi Rama e garanton këtë stabilitet”! Në fakt Vuçiq dhe Dodik janë dekori e maskës Rama-Haxhiu. E vërteta është se këta të dy ndërsejnë Grennellin kundër Kurtit. I thonë atij “Sulmoje ti Grennell, se ndryshe nuk ia dalim me Kurtin kryeministër të Kosovës”!
Sipas Baton Haxhiut, Kurti kërkon marrëveshje të fshehta në vend të negociatave të hapura dhe institucionale. Po thotë kështu se CIA dhe drejtori i saj i Përgjithshëm, William Burns, nuk qenkan institucion. Ndërkohë që ai e kishte trajtuar “si institucion” dhe jo si spiunim të mirëfilltë Stanishiqin e Milosheviçit. Madje mburret për këtë “bashkëpunim” spiunësh me ish-shefin e UDB-së në kulmin e masakrave kundër shqiptarëve në Kosovë. Ndërkohë që e vërteta e vizitës dhe takimit Kurti – Burns është krejt ndyshe. Midis Kurtit dhe Burns nuk kishte marrëveshje. Pati bisedime në grup midis dy delegacioneve. Pjesë e palës amerikane ishte edhe Jeffrey Hovenier.
Bisedimet dhe konsultimet janë metodë e pazevendësueshme.
Nëse Haxhiu dhe shefi i tij, Edi Rama, mendojnë se paska marrëveshje midis tyre, çfarë është ajo që i shqetëson ata, edhe po të jetë kjo e vërtetë? Cili është meraku i tyre? Mos ndoshta këta të dy kanë marrë ndonjë informacion nga burime ilegale, se “Po i jepet fund konfliktit serb kundër të gjithëve në Ballkan” dhe përfundimisht roli i destruktivit të korruptuar Edi Rama mori fund?! Unë nuk besoj se ky reagim i këshilltarit kryesor me status të përhershëm të kryeministrit të Shqipërisë ka të bëjë vetëm me mungesën e vëmendjes amerikane ndaj tyre. Nuk mund ta besoj se është produkt i përjetimit të keq, pse shefi i CIA-s amerikane nuk përfshiu në axhendë edhe një kalim nga Tirana! Jo se këta të dy nuk ndjehen keq për këtë fakt. Por se duhet menduar që Rama dhe Batoni shohin fundin.
Fundi i Edi Ramës do të vijë para fundit të Aleksandër Vuçiq dhe të Milorad Dodik. Ndërsa fundi i këtyre treve është fillimi i fillimit të Albin Kurtit. Lidershipi dhe qeverisjet janë cikle. Rama është nga ata që nuk kupton asnjë lloj cikli, madje as atë biologjik. Por filozofia është e pamëshirshme. Çdo gjë ka një fillim, por ka edhe një fund! Kjo është drama që e vuajnë edhe Edi, edhe Batoni!