Ajo që duhej të ishte një mëngjes i qetë dhe shpresëdhënës për gratë e lagjes Saudite në Gaza, u kthye në një tjetër episod tragjik. Gjatë një shpërndarjeje ndihmash ushqimore të organizuar posaçërisht për gratë nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), u raportuan të shtëna dhe viktima.
Fondacioni kishte paralajmëruar më herët përmes një postimi në rrjetet sociale se shpërndarja ishte e dedikuar vetëm për gratë. Në njoftim shoqëruar me foto të grave që merrnin ndihma me buzëqeshje në fytyrë, shkruhej: “Vetëm gratë janë të mirëseardhura në shpërndarjen tonë të mëngjesit në lagjen Saudite. Burrat duhet të shmangin vendin gjatë kësaj shpërndarjeje.”
Por, në vend që të mbizotëronte paqja, situata doli jashtë kontrollit. Sipas dëshmitarëve, në zonë u dëgjuan të shtëna të cilat u pasuan nga një shpërthim paniku mes njerëzve të pranishëm. Burime lokale thonë se disa gra janë vrarë dhe të tjera janë plagosur, megjithëse deri tani nuk ka një numër zyrtar të konfirmuar të viktimave.
Nuk dihet ende se kush qëndron pas këtij akti. Disa dëshmitarë flasin për ndërhyrjen e forcave të armatosura, të tjerë përmendin konfuzionin që u krijua kur turma u rrit përtej pritshmërive. Autoritetet lokale nuk kanë dalë ende me një deklaratë zyrtare, ndërsa GHF ka reaguar shkurt duke shprehur “tronditje dhe dhimbje të thellë” dhe ka pezulluar përkohësisht çdo aktivitet të shpërndarjes së ndihmave.