Nga Daut Dauti
Në Britani të Madhe unë jam nga gjenerata e parë e emigrantëve të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë vend. Ka ekzistuar edhe një gjeneratë para meje, që kanë ardhur pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht nga Shqipëria, por numri i tyre ka qenë i vogël dhe ata tashti janë shuar.
Tashti ka mbërri gjenerata e dytë. Është e pabesueshme sa shumë kanë përparuar. Janë shkolluar dhe kryejnë punë të rëndësishme kudo që janë punësuar. Sistemi i fuqishëm ekonomik dhe ai superior arsimor ua ka mundësuar përparimin. Ata që nuk janë shkolluar, kanë përparuar në biznes, sidomos në ndërtimtari ku paraja qarkullon me të madhe.
Por, kjo gjeneratë e re, nuk është e zhurmshme në reklamimin e përparimit të tyre, siç bëjnë prindërit e tyre. Zhurma e prindërve, dmth e gjeneratës sime, është e madhe dhe shpesh e pavërtetë apo e falsifikuar. Disa nga ne, reklamohen dhe e kanë gjetur mënyrën për të qenë prezent edhe në mediat e Kosovës dhe Shqipërisë si të suksesshëm. Kjo bëhet nga kompleksi për ta fshehur dështimin me përparim të rrejshëm. Shumica a atyre që kanë përparuar, nuk shihen për shkak se nuk reklamohen. Unë çdo ditë takoj njerëz të këtillë e që janë për mahnitje.
Sipas eksperiencës së botës së emigrantëve, gjeneratat e dyta janë nacionaliste. Kjo është për shkak se janë nën ndikim të prindërve dhe interesimi për prejardhjen rritet. Gjenerata e tretë, e cila është në ardhje e sipër, që janë nipërit dhe mbesat tona, do të jetë ndryshe. Interesimi për prejardhjen vetëm sa shtohet. Por, këta e shohin vendlindjen e prindërve apo gjyshërve me një racionalitet. Pra, pa emocione. Këta janë ata që më nuk blejnë banesa në Kosovë nëse nuk kanë ndonjë arsye, kryesisht fitim nga ajo punë.
Problemi me këto gjenerata është se nuk do të kenë ku të kthehen në Kosovë apo Shqipëri. Në këto dy vende tonat nuk është duke ndodhur ajo që ndodhi me Greqinë, Spanjën, Italinë, Portugalinë dhe Izraelin. Kohëve të fundit kjo gjë është duke ndodhur edhe me polakët dhe irlandezët. Përparimi i këtyre vendeve që ndodhi para dy dekadave, e ka kthyer me të madhe diasporën në shtëpi. Si shtesë, kjo diasporë ka ndikuar në përmirësimin e dukshëm të gjendjes ekonomike të vendeve të tyre. Por, ajo që është edhe më e rëndësishme, është fakti se kjo diasporë edhe e ka ndryshuar mentalitetin e këtyre vendeve. Kjo është për shkak se, pos parave, këta njerëz nga Evropa dhe Amerika kanë sjellë me vete ide dhe përvoja të reja, të cilat janë të domosdoshme për prosperitet.
Por, kjo gjë, për fat të keq, nuk duket se do të ndodhë së shpejti te ne ku njerëzit vazhdojnë ta lëshojnë vendin. Në këtë gjendje të varfërisë, ku vlon korrupsioni dhe ku rrugët e përparimit janë të mbyllura, nuk ka kthim. Ftesa e politikanëve për kthim është deklarative dhe joserioze. Në fakt, strukturat e sotme politike në Kosovë e Shqipëri, as që e dëshirojnë kthimin e diapsorës pasi pasi që në këtë gjendje e kanë më lehtë ta manipulojnë për qëllime politike, që prodhojnë vetëm pasoja jetëshkurtëra dhe të dëmshme për zhvillim. Ndoshta duhet të mendohet dhe punohet që gjatë 20 viteve të ardhshme të ndodhë kjo – kthimi i diasporës në atdhe.