Nga Arbër Zaimi

Të dielën në Moldavi u mbajt një referendum për të vendosur se a duhet përshtatur kushtetuta e vendit që të përafrohet me BE, apo jo.

Moldavia është vend ku kufizohen influencat perëndimore me ato ruse, në këtë aspekt ngjan disi me Ballkanin Perëndimor, prandaj duhet vëzhguar me interes.

Gjatë fushatës para referendumit pati raportime të bollshme për ndërhyrje të Rusisë, qoftë përmes blerjes masive të votave sidomos në krahinën e Transnistrias që e kontrollojnë strukturat paralele ruse, qoftë përmes mbështetjes politike e financiare të disa subjekteve që korrupsioni i ka futur në rrugën anti-evropiane. 

Strukturat pro-ruse gjatë fushatës janë ndihmuar siç raportohet edhe nga kriminelë me përgatitje para-ushtarake të trajnuar në kampe ushtarake në Rusi, Serbi dhe Republikën Srpska të Bosnjës.

Kryeministrja Maia Sandu u shpreh se shteti ka arritur të dokumentojë 150.000 njerëz që janë paguar për të votuar.

Në fund referendumi u fitua nga forcat pro-evropiane, me 50.4% kundër 49.6%. Dallimi shumë i vogël, i cili u mundësua edhe nga votuesit moldavë nga diaspora. Rreth 180.000 vota nga moldavët që jetojnë në Evropë, ruajtën kursin perëndimor të Moldavisë. Diaspora moldave votoi 80% në mbështetje të forcave pro-evropiane.

Ky ndikim i diasporës në demokratizimin e vendeve tona dhe në kundërshtimin e politikanëve të korruptuar me tendenca të dyshimta gjeopolitike, është real, i madh dhe i domosdoshëm.

Kjo duhet mbajtur parasysh sa herë që në Kosovë dëgjohen zëra apo lexohen shkrime që kundërshtojnë votën e diasporës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *