Nga Agim Morina

Ish-deputeti  i Tiçinos në Dhomën e Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës dhe hetuesi special i Këshillit të Evropës, Dick Marty, paska bë akuza të rënda kundër Departamentit Federal të Punëve të Jashtme dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në lidhje me kërcënimet e bëra ndaj tij. Aj shpreh habinë dhe indinjatën që nuk qenka reagu shpejt për rastin e tij, për me u vënë nën mbrojtjen e policisë. 

Dick Marty, ashtu qysh po shihet deri tash, – sipas të gjitha gjasave, – po del me qenë një shpifës i madh, një rrenc, mashtrues, manipulant dhe ndoshta edhe i manipuluar, me faktin që Gjykata Speciale kundër udhëheqësve të UÇK-së, megjithëse u ngrit pas akuzave për «trafikim organesh», nuk egziston më në atë aktakuzë. Kjo tregon se akuzat e z. Marty paskan qenë shpifje, gënjeshtra e mashtrime. 

Krejt këto akuza tejet të rënda kundër UÇK-së, ia pati kundërshtu me fakte veprimtari i njohur i rezistencës sonë kombëtare, ish-zëdhënës i UÇK-së për Zvicër dhe drejtor i Qendrës Gjenocidi në Kosovë, z. Bardhyl Mahmuti, në librin «Mashtrimi i madh», (Çabej, 2015).  Ai, në librin e tij, tregon se z. Marty: 

“Për të denoncuar “agresionin ilegal kundër Serbisë, pa miratimin e OKB-së”, Dick Marty ishte tepër i zëshëm! Por, kur ai i rekomandon Këshillit Federal të Zvicrës që të bëjë çdo gjë që ishte e mundur për të ardhur deri te një “armëpushim në mes palëve, të vendoset një trupë neutrale për të ruajtur paqen dhe të përgatisë terrenin për një zgjidhje politike”, Dick Marty as që përmend OKBnë. Sipas kësaj logjike, anashkalimi i Këshillit të Sigurimit të OKBsë për të ndërprerë bombardimet kundër regjimit të Milošević-it nuk ishte ilegal!”

Dick Marty, sipas z. Mahmuti “edhe pse nga vetë serbët u publikuan dëshmi të shumta për planin e «spastrimit etnik» të Kosovës, Regis Debray-ja e JeanMarie Le Pen-i, Serge Halimi e Bernard Lugan-i, Jurgen Elsasser-i e Udo Voigt-in, Christophe Blocher-i e Dick Marty, Jean-Arnault Derens-i e Xavier Raufer-i, Pierre Pean-i dhe autorë të tjerë përpiqen ta “shpjegojnë” se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës “nuk ishte projekt politik i pushtetit serb, por, plan i farkëtuar nga shërbimet e tjera sekrete, për t’ua veshur udhëheqësve serbë se gjoja kanë kryer krime me paramendim!” Madje, edhe në rastet kur këta autorë pranojnë se kishte shqiptarë të dëbuar nga forcat serbe, ata e cilësonin si rezultat të një strategjie ushtarake që synonte ‘pastrimin e terrenit’, për “të kursyer civilët shqiptarë” dhe “për të luftuar më lehtë kundër UÇK-së.”

Po ashtu, z. Mahmuti tregon se Dick Marty, nuk ishte i kënaqur me faktin që Zvicra kishte njohë pavarësinë e Kosovës. 

“Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, i njëjti Dick Marty, por, kësaj radhe në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme të Këshillit të Shteteve të Konfederatës Helvetike, në një intervistë ekskluzive të publikuar më 12 mars 2008, deklaroi se “pavarësia e Kosovës nuk është vendosur në Prishtinë!” Në intervistën me gazetaren Silvia Cattori, Dick Marty shprehu pakënaqësinë e tij pse Zvicra u përshpejtua ta njihte Kosovën si shtet të pavarur sepse neutraliteti i Zvicrës ishte i qartë! Ai u deklarua se “nuk e kuptonte pozicionin e Zonjës Calmy-Rey”, e cila, sipas tij, do të ishte dashur të angazhohej “për një autonomi për Kosovën, apo ndonjë zgjidhje konfederate të ngjashme si modeli zviceran.

Vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Zvicrës ishte edhe më i “pakuptueshëm” për Dick Marty-n, për arsye se, siç thotë ai, “shumica e vendeve nuk e kanë njohur dhe nuk do ta njohin Kosovën.” 

Për fat të mirë, parashikimet ogurzeza të shpifësit Marty nuk dolën të vërteta, sepse shumica e vendeve e kanë njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. 

“Krahas përvetësimit të interpretimit serb të së drejtës ndërkombëtare, Dick Marty shpreh revoltën e tij për prezantimin e “UÇK-së si të ishte një organizatë e virgjër dhe bamirëse.”

Më 16 prill 2008 Dick Marty mbajti një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillti të Europës, në të cilin përsëriti qëndrimet e veta proserbe, se “minoritetet nuk mund të jetojnë në Kosovë, pos të mbrojtur nga trupat e huaja”, se Kosova “sot, më shumë se dje, ishte kthyer “në qendër të kriminalitetit ndërkombëtar e krimit të organizuar”. Dhe krejt kjo, gjithnjë sipas Martyt, kishte fillu “me bombardimet e NATO-s, bombardime në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, që u bënë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit (…) dhe pas shkeljes flagrante të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit që garantonte integritetin territorial të Serbisë”. 

Mirëpo, kulmi arrin me botimin e librit të Carla del Pontes, që, me iniciativë serbe e ruse, nga deputeti rus Konstantin Kosachevi, u dorëzu propozimi  në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për një rezolutë lidhur me “trajtimm çnjerëzor të personave dhe tregtinë ilegale me organet e njerëzve në Kosovë.”

Dhe, nuk asht për me u habitë që kryetar i këtij komisioni u emëru pikërisht i njëjti njeri i pakënaqur me bombardimet kundër Serbisë, me pavarësinë e Kosovës etj., vetë zoti Dick Marty. 

Të tjerat janë histori. Dhe realitet. 

U themelu Gjykata Speciale dhe udhëheqësit e UÇK-së sot po gjykohen në Hagë si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, njësoj si kriminelët klerofashistë të Serbisë në krye me Milosevicin që u qujtën “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, ata që shkaktuan katër lufta me agresionin kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. 

Problemi është që akuza kryesore për “trafikim organesh” nuk u përmend më në akuzën kundër këtyre udhëheqësve të UÇK-së. 

Tani, ankesat dhe kukamat e Dick Martyt janë ankesa ose të një mashtruesi, ose të një të mashtruari që është shfrytëzu si mjet për mashtrim. Aj po habitet se pse organet zvicrane të sigurisë nuk kanë reagu më shpejt për mbrojtjen e tij. Po të kishin reagu më shpejt, po të demaskohej, po të zbulohej e të hidhej poshtë si mashtrim më herët, – atëherë kur ka pasë nevojë Marty, – nuk do të ishte e mundur me u themelu Gjykata Speciale. Zoti Marty, si duket ende nuk e ka kuptu se është përdorë, për me mujtë me u themelu kjo gjykatë. Nuk është e vërtetë se organet policore zvicrane “(n)uk më morën në mbrojtje, për të mos i prishur punët me Serbinë”, por për me mujtë me themelu Gjykatën Speciale. Nëse do të sqarohej shpejt se ky kishte qenë një manipulim e, ndoshta vetë Marty i manipuluar, krejt kjo ndërtesa e shpifur e rrenave dhe manipulimeve do të binte në ujë. 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nisi një procedurë për hedhjen poshtë të rezolutës së Asamblesë së Këshillit të Europës, që ishte miratu pas raportit famëkeq të Dick Martyt. Por, z. Rama nuk do të duhej me u ndalë me kaq. Shqipëria duhet të nisë një akuzë kundër Dick Martyt, në Zvicër apo në Shqipëri, sepse në atë raport përmendet edhe një “shtëpi e verdhë”, ku pretendohej se qenkëshin bë operacionet dhe “nxjerrjet e organeve”. 

Ndërsa Dick Marty më së shumti duhet të ketë frikë nga ndërgjegjja e vet. Tash që e ka gjetë veten në gërshërët e manipulimeve, ndoshta pa e dijtë as vetë se sa ka me dalë e thellë dhe e ndërlikuar, i nxitur ndoshta edhe nga një karrierizëm i verbët, duhet të zgjidhë gjuhën e të tregojë se kush dhe pse e manipuloi deri në këtë shkallë. Ky do të ishte vetëm hapi i parë i duhur.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *