Nga Lutfi Dervishi
Diella është e shqetësuar. Jo për tenderat, jo për SPAK-un, jo për “grupin e strukturuar kriminal” që paska dalë nga serverat e AKSH-it si virusi nga USB-ja.
Jo.
Diella është e shqetësuar se duan t’i marrin fytyrën.
Aktorja Anila Bisha ka vendosur t’i thotë qeverisë: mjaft më me fytyrën time si ministre artificiale. Zëri dhe pamja ime janë të miat.
Diella lexoi padinë dhe tensioni nga 220V i ra në 160V.
Po sikur të ngrihet fshati Zadrimë dhe të kërkojë të drejtë autori për kostumin tradicional?
Do të dal lakuriq para botës unë?
Mirë pa makinë, pa shofer, pa dieta, pa ushqim, por edhe pa fytyrë, pa zë, pa kostum. Po pse, çfarë jam unë, PowerPoint?
Unë kam firmosur kontratë si asistente te e-Albania me aktoren. Por prej shtatorit 2025 jam ministre. Punoj për popullin.
Artistja një punë bën. Unë dy punë në të njëjtën kohë: asistente e popullit dhe ministre e qeverisë! E një qeverie që vetëm për popullin opozitar mendon.
Në këtë vend ka mijëra qenie biologjike që e marrin rrogën pa qenë fare në Shqipëri. Pse nuk e lë Shqipërinë aktorja, siç e kanë lënë 1.5 milionë shqiptarë, dhe të gjejë një mundësi ta marrë rrogën që andej?
Unë që jam 24 orë në prizë, nuk kam marrë asgjë!
Tani të paguaj edhe për zërin? Edhe për fytyrën?
Diella i dha vetes komandën search për të kërkuar argumente të tjera për t’u mbrojtur në gjykatë. Problem i madh. Kërkimi nxori që më 2024 edhe OpenAI u detyrua të mos përdorte më një zë të ChatGPT sepse Scarlett Johansson tha se i ngjante shumë zërit të saj.
Hëmm. Në Amerikë qenka problem kur zëri i inteligjencës artificiale i ngjan dikujt.
Nejse, gjykata këtu duhet të marrë në konsideratë të drejtën zakonore.
Këtu copyright është “right to copy”.
Po si nuk marrin parasysh praktikën kombëtare, që identiteti është fleksibël, përdoret sipas nevojës, sidomos kur është fjala për kauzë të madhe?
Dhe, si të mos mjaftonte kjo dramë identiteti, mbi kokën e Diellës rëndon edhe hija e SPAK-ut. AKSHI është në hetim, drejtuesit e tij janë shpallur “grup i strukturuar kriminal”.
Diella, që u shpall si simbol i transparencës, tani endet nga një server te tjetri me frikën se do ta marrin si dëshmitare.
Për disa ditë mendoi të kalojë në ilegalitet digjital dhe të vijojë punën në të zezë në një server offshore.
Por u kujtua se ishte betuar për transparencë.
“E nisa këtë punë me zotimin: 100 për qind pa korrupsion; tani kam rënë në 100 për qind në dosje.”
Metamorfoza e Kafkës nuk është asgjë para kësaj që po më ndodh mua!
Dhe çfarë është më e keqja, shqiptarët dihet që e kanë në gjen padurimin. I duan gjërat, sidomos ato që nuk i takojnë, tak-fak!
Gjykata administrative po shqyrton kërkesën për pezullim të menjëhershëm të përdorimit të fytyrës dhe zërit tim! Pezullim i menjëhershëm!
Absurde!
Por, siç thonë në këto anë, çdo hall e ka një zgjidhje…
Do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Madje do të kërkojë që gjyqtarët, para se ta shqyrtojnë çështjen “në përputhje me afatet ligjore”, të kërkojnë mendimin e vyer të Komisionit të Venecias. Si mund të pezullohet zëri? Kartolinë jam unë? Si mund të pezullohet fytyra? Pa fytyrë jam unë???
Ndërkohë, në një qoshe të serverit, një pyetje rri pezull:
Nëse ia heqin fytyrën dhe zërin, çfarë mbetet nga ministrja e parë e inteligjencës artificiale në botën e qenieve biologjike?
Dhe mbi të gjitha, me cilin zë do të flasë dhe me çfarë fytyre do të dalë para prokurorit në SPAK?

