Nga Lazër Radi

Takimi i fundit me Dom Lazrin nga Dr. Lazër Radi

Ishim në Burgun e Ri të Tiranës, në at vit të ftohtë, në at janar ngricash e mornicash të vitit 1945. Para portës së hekurt të burgut ndalon nji kamion i zbuluem. Zakonisht këto lloj makinash sillshin të burgosun të rij. Mbi karroceri nuk shifej tjetër veçse nja dhjetë partizanë me mashinka. Mbasi zbritën të parin që po lëvizte kamba-dorës, kapen të dytin dhe e hodhën si nji dëng leshi mbi do zhele që i zbritën nga makina. 

U ndigjue vetëm nji rankim dhe mbasanej heshtje! Plaku që zbritën të parin tuj e tërhequn rrëshanë ishte Sylçe Beg Bushati, dikur krenaria e Shkodrës, ndërsa i dyti, ai që u përplas në cep të shkallës e që ishte i veshun me të zeza ishte shkrimtari dhe poeti, muziçisti dhe prifti i “pianofortit” Dom Lazër Shantoja.

Protestuem për kët sjellje kaq brutale.

Na kërcënuen se do ta pësonim të njejtin fat nëse nuk e mbyllnim gojën!

Dolëm disa të burgosun, i ngrejtëm dhe tuj i mbajtun për krahësh me shumë mundim i futëm mbrenda. Ku t’i sistemonim? Burgu qe kthye në nji fole milingonash. Ishte i mbushun përplot me dykamsha, qi kishin humbun çdo tipar njerëzor. As kafshë nuk mund të quheshim, sepse kafshët ishin të lira…

Mblodhëm andej këndej disa shtresa e mbulesa dhe i sistemuem në nji korridor, diku afër banjos. Mbas do kohe, kur erdhi në vedi, dom Lazri po na shikonte si i hutuem dhe nuk po njihte asnjenin prej nesh. I përmenda disa raste të përjetueme së bashku në Romë e në Tiranë. Asgja! Vonë filloi të kthjellohej dhe na i tregoi kockat e thyeme të kambëve dhe plagët e hapuna të mbushuna me krypë.

 Mbas disa ditësh e morën rrëshqanë dhe e futën në nji birucë. Me nji gjykim somar (gjyq pa asnji procedurë normale) e dënuen me vdekje, e çuen në Breg të Lumit dhe meqë s’mund të qëndronte në kambë, se i kishte kockat e thyeme, e hodhën të gjallë në nji gropë, e që nga nalt e gjuajtën me “mashinkë”. Aty e mbuluen shpejt e shpejt me dhè. Nuk dihet nëse e mbuluen të gjallë apo të vdekun. Dikush thote e mbuluen të gjallë me dhè… O Zot, deri kur… 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *