Woodrow Wilsoni, i shquar si progresist qysh para se të merrej me politikë partiake, ishte presidenti që priu kur SHBA-në u bënë për herë të parë dominuese në rrafsh global, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Zgjedhjet amerikane, ku Wilsoni kërkonte mandatin e dytë ishin në vitin 1916. Slloganet kryesore e fushatës së Wilsonit ishin “He kept us out of the war” si dhe “America First” – pra premtim për vazhdim të neutralitetit amerikan dhe proteksionizëm.
Wilsoni nuk e kishte qejf luftën edhe për shkak të aversionit që kishte ndaj perandorive evropiane. Vizioni i tij deri në 1916 ishte se duhej “Paqe pa Fitore”, gjë që zakonisht u imponohet shteteve të vogla e jo fuqive të mëdha. Por, meqenëse tregjet financare amerikane ishin private, bankat britanike e evropiane arritën të marrin shumë kredi në Wall Street (ku ndikimin më të madh e kishin republikanët) duke krijuar një situatë ku kapitali amerikan (privat) ishte i ekspozuar tepër ndaj rreziqeve të një lufte ku Amerika s’merrte pjesë.
Me të fituar zgjedhjet në 1916, Wilsoni urdhëroi Rezervën Federale të mos miratonte më kredi të tilla. Fuqitë Evropiane mbetën keq, në një luftë tashmë globale (se ato kishin koloni kudo), me kosto të pamasa njerëzore e financiare. Luftë që nuk e fitonte dot asnjëra palë. Në kujtimet e politikanëve të kohës dallohet shqetësimi i tyre se “po mbeten në dorë të Amerikës” që do t’i poshtëronte me “paqe pa fitore”.
Por gabimin e bëri Gjermania, e cila u përpoq të fuste në lojë Meksikën kundër Amerikës, me premtimin se do ta ndihmonte të rikthente trojet e Teksasit, Nju Meksikos dhe Arizonës. Amerika u përgjigj duke ndihmuar me artileri luftanijet angleze në Atlantik, Gjermania u përgjigj me nëndetëse, dhe kështu në 1917 Amerika hyri në luftë, duke i dhënë fitoren Entente-s në 1918. Kjo fitore prodhoi paqen e Versajës dhe traktatet e Parisit, ku u formua dhe Lidhja e Kombeve. Karta e Lidhjes së Kombeve e vetë struktura e saj reflektonte projektin Wilsonian për paqen.
Por, Wilsoni nuk arriti dot të bëhej pjesë e projektit që kishte ideuar vetë. Sepse, në zgjedhjet “mid-term” të vitit 1918 demokratët humbën kontrollin e senatit dhe kongresit, si pasojë e peshës së taksave mbi ekonominë private gjatë luftës. Kur erdh koha e pjesëmarrjes amerikane në Lidhjen e Kombeve, nuk u ratifikua traktati. Pra Amerika mbeti jashtë asaj strukture. Këshilli ekzekutiv i Lidhjes së Kombeve që anëtarë të përhershëm kishte fituesit e Luftës së Parë, Britaninë, Francën, Italinë e Japoninë, nuk e kishte fituesen kryesore, Amerikën. Asambleja e Lidhjes së Kombeve mblidhej në Gjenevë, në “Pallatin Wilson” të emërtuar për nder të ideuesit, mirëpo vetë ideuesi u pengua nga demokracia elektorale amerikane, dhe nuk shkoi aty.
Interesante do të ishte të mendohej, si do të shkonte filli i luftës nëse Gjermania s’do ishte përzier me Meksikën? Apo edhe tjetra, a do të ndodhte Lufta e Dytë, nëse Amerika do të ishte angazhuar brenda Lidhjes së Kombeve?
Prej asaj kohe SHBA vazhdimisht ka qenë fuqi dominuese. Por dominimi global i SHBA vijon të ruajë karakteristikat e shfaqura qysh asokohe e që janë të lidhura me vetë sistemin e demokracive elektorale, si dobësi e forcë njëkohësisht: 1. Për të qenë aktiv e konsistent globalisht, Amerika ka nevojë për armik të jashtëm që të tejkalojë polarizimet e brendshme. 2. Projektet amerikane për globin që kërkojnë afatgjatësi, mund të lëkunden apo edhe të ndalen krejt, si pasojë e polarizimeve të brendshme.