Tekniku brazilian mund të ndryshojë vendosjen e skuadrës ndaj Italisë në përpjekje për të zbritur në fushë një formacion që i përgjigjet cilësive të kundërshtarit.
Asllani dhe Ramadani janë të padiskutueshëm para mbrojtjes, por atyre mund t’u bashkohet dhe Qazim Laçi. Mesfushori i Spartës së Pragës mund të formojë treshen e qëndrës së mesfushës në përpjekje për mbyllur hapësirat për axurrët dhe për të ushtruar më shumë presion ndaj mesfushës së Luçiano Spaletit.
I sakrifikuari nga ky modul mund të jetë Taulant Seferi. Vendin e tij në linjën e majtë të sulmit mund ta marrë Nedim Bajrami i cili mund të futet vazhdimisht nga linjat anësore drejt qëndrës.
Plani i Silvinjos duket se është neutralizimi i dy pikave të forta të kundërshtarit: Lojës nga krahët dhe vertikalizimeve nga mesfushorët italianë.
Dilemat e tjera për Silvinjon mbeten ato në mbrojtje pasi duket se ka balotazh mes Hysajt dhe Balliut në krahun e djathtë dhe mes Ismajlit dhe Ajetit për një vend përkrah kapitenit Gjimshiti.