Nga Ermal Mulosmani
Në fund te Tetorit 2022, Qeveria e Kosovës vendosi të bëjë unifikimin e targave të Kosovës edhe për serbët e Kosovës. Ata duhej të ndryshonin targat e vjetra me emblemën RKS. Ky vendim ishte planifikuar të zbatohej qysh në gusht por, me këmbënguljen e ndërkombëtarëve u shty për me 1 nëntor. Asnjëherë nuk është vënë në diskutim e drejta e qeverisë së Kosovës për këtë vendim. As nga serbët e lëre më nga ndërkombëtarët.
Mirëpo një gjë është e drejta, tjetër gjë, krejt tjetër gjë është aftësia për ta implementuar të drejtën tënde.
Paraardhësit e Albin Kurtit e dinin shumë mirë që pavarësia e Kosovës, përtej të drejtës ndërkombëtare, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, është përplot me cene.
Gjysma e shteteve të botës nuk e njihnin, në vend ndodhen akoma forca ndërkombëtare me mandat të përcaktuar (KFOR), në kufi është një minoritet destruktiv serb që mezi pret t’i kundërvihet autoritetit qeveritar të Kosovës dhe është jashtë kontrollit qeveritar.
Megjithatë, ata ndoqën politikën e mospërballjes me problemin duke e lënë veriun e Kosovës nën pushtetin e banditëve, kontrabandës dhe mafias. Ky qëndrim i tyre, dukej kishte edhe bekimin e ndërkombëtarëve që nuk ishin gati të përballeshin (veprimi jepte andralla për ta). Pra, të gjitha palët bënin sikur problem nuk ekzistonte.
Albin Kurti nuk ra dakort me këtë anomali, ai vendosi të përballej me apo pa dakortësinë e ndërkombëtarëve. E justifikonte këtë në emër të së drejtës, dinjitetit, sovranitetit dhe normave të njohura ndërkombëtarisht.
Një ndër veprimet më energjike dhe të suksesshme të Kurtit ishte ndalimi i zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës më 03 prill. Atëherë, Kurti i kushtëzoi mbajtjen e zgjedhjeve me një marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ky vendim u prit me pakënaqësi të shprehur në ambientet e ndërkombëtarëve por funksionoi.
*****
Në fund të Tetorit situata ishte e nderë. Kurtit iu kërkua përmes zyrtarëve më të lartë amerikanë të shtynte vendimin e targave edhe për 10 muaj. Sipas emisarit të lartë Gabriel Escobar, ishte vetë Sekretari i Shtetit që ia kërkoi. Pra, vendimin e shtyrë një herë në gusht ta shtynte edhe një herë tjetër me 10 muaj.
Kurti nuk dëgjoi këshillat e amerikanëve deri në momentin e fundit, por e zbuti fare pak duke e ndarë në tri faza, një prej të cilave ishte “qortimi”.
Kurti kishte vendosur të përballej në emër të së drejtës ligjore, të sovranitetit dhe integritetit. Thyerja me aleatët e përtej Atlantikut ishte e fortë. Sekretari Amerikan i Shtetit deklaroi hapur zhgënjimin.
Rezistenca e serbëve të veriut ishte e fortë. Policë, gjyqtarë dhe funksionarë lokalë shtetërorë përfshirë edhe deputetë serbë në mënyrë demonstrative u tërhoqën nga institucionet e Kosovës.
Në përgjigje të kësaj lëvizjeje Presidentja e Kosovës shpalli zgjedhjet në Komunat serbe. Zgjedhje nuk u bënë pasi serbët kundërshtuan dhunshëm dhe autoriteti i Qeverisë së Kosovës u përdhos edhe një herë. Një ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, serb, me mbiemër Pantiç, dhunoi zyrat e ngritura nga Komisioni zgjedhor. Në një inkursion të forcave policore të Kosovës Pantiç arrestohet por bëhet e pamundur sjellja në Kosovë. Serbët ngrenë barrikada të shumta në rrugët e Kosovës, një polic i forcave të Kosovës plagoset por barrikadat nuk hiqen, përkundrazi shtohen. Kryeministri Kurti kërkon nga KFOR-i të ndërhyjë për lirimin e rrugëve nga barrikadat. KFOR-i nuk veproi.
Sot një gjyqtar i Kosovës, me kërkesë të Prokurorit vendas e liroi Dejan Pantiçin. Lirimi i tij me siguri do të sjellë edhe lirimin e rrugëve të Kosovës.
Kjo ishte me pak fjalë ajo çfarë ndodhi këto dy muaj të nxehtë politikë.
Rezultantja poltike e lëvizjeve të Qeverisë së Kosovës, në analizë të fundit, ka pasë këto pasoja:
1) Targat me RKS nuk u implementuan në komunat serbe.
2) Zgjedhjet në komunat serbe të urdhëruara nga Presidentja e Kosovës nuk u mbajtën.
3) Barrikadat e vendosura në rrugët e Kosovës nuk u liruan dot nga forcat kosovare të sigurisë.
4) Aleatët dolën të pakënaqur nga mosrakordimi me ta i veprimeve të kryeministrit.
5) U krijua precedent i barrikadimit dhe shantazhit si metodë të zgjidhjeve të problemeve në të ardhmen.
Vetëm një miop nuk e shihte pamundësinë e Qeverisë së Kosovës për veprim të njëanshëm. Nëse do të veprosh në një vatër konflikti duhet të jesh i sigurtë që nuk kthehesh mbrapa. Nëse kthehesh mbrapa do e kesh shumë të vështirë të bësh përpara herë tjetër.
Nëse do të shtrish autoritetin e shtetit duhet të kesh ushtri të fortë, polici të fortë dhe mbështetje të fortë politike. Nuk mund të qahesh te KFOR-i se nuk po i bën detyrat e veta. Kujt po i qahesh? Popullit? Mediave? E çfarë pastaj?
Çfarë do të bësh ti si qeveri nëse KFOR-i nuk i bën detyrat e veta?! Si do ia dalësh mbanë? A ja bën pyetje vetes se pse KFOR-i nuk po i zbaton ato detyra që NATO-ja ia ka lënë në kompetencë?! (KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë.)
Neglizhenca e KFOR-it flet vetë për një vullnet politik të NATO-s për të mos ndërhyrë. Çfarë do të bëjë Kurti në këtë rast?!
Prandaj koordinimi me aleatët është thembra e Akilit të çdo aksioni. Dëmi që është bërë me këto dështime është i madh.
Nga ana tjetër, tolerimi perëndimor ndaj retorikës nacional-luftarke të Serbisë dhe sjelljeve destruktive të serbëve në Kosovë është dëshmi e përkeqësimit të situatës gjeopolitike të shqiptarëve në këto momente. Ata janë të sakrifikuarit e perëndimit nëse kjo do të ishte e lehtë të ndodhte. Për fatin tonë, në Kosovë luhet edhe nderi i tyre çka e bën akoma të sigurtë situatën nga pikëpamja e një konflikti të mundshëm.
Që të flasësh për dinjitet duhet të jesh dinjitoz. Pra të jesh i fortë, të mos zmbrapsesh, të përdorësh forcën në emër të së drejtës. Përndryshe ul kokën dhe thuaj lepe-peqe garantuesve të lirisë dhe pavarësisë. Siç e bënin paraardhësit e Kurtit.