Distria Krasniqi ka shkëlqyer në Grand Slamin e Parisit, duke fituar medaljen e artë në një nga garat më prestigjioze të xhudos botërore. Xhudistja kosovare dominoi kategorinë deri në 52 kilogramë dhe në finale mposhti spanjollen Ariane Toro Soler, duke e fituar ndeshjen me Ippon pas vetëm 27 sekondash.
Kjo është medalja e katërt e artë e Distrisë në Paris, pasi më parë kishte triumfuar edhe në vitet 2020, 2023 dhe 2024. Ajo ka gjithashtu dy medalje të argjendta dhe tri të bronzta në këtë turne, duke e çuar në dhjetë numrin total të medaljeve të fituara në kryeqytetin francez.
Si bartëse e parë e kategorisë, Krasniqi e nisi garën nga xhiroja e dytë, ku mposhti francezen Alicia Marques. Në çerekfinale fitoi pas kohës shtesë ndaj brazilianes Larissa Pimenta, ndërsa në gjysmëfinale kaloi francezen Amandine Buchard, duke siguruar finalen.
Në Grand Slamin e Parisit garuan edhe pesë xhudistë të tjerë nga Kosova. Rezultatin më të mirë pas Distrisë e arriti Fationa Kasapi, e cila u rendit e shtata në kategorinë deri 52 kilogramë, pasi fitoi dy ndeshjet e para dhe u ndal në çerekfinale dhe repesazh.
Akil Gjakova arriti deri në xhiron e dytë në kategorinë deri 73 kilogramë, por u eliminua nga italiani Manuel Lombardo pas kohës shtesë, vendim që u kundërshtua nga trajneri Driton Kuka, i cili e cilësoi gjykimin të padrejtë.
Ndërkohë, Erza Muminoviq u ndal në luftën e dytë në kategorinë deri 48 kilogramë, Flaka Loxha u eliminua në ndeshjen e parë në 57 kilogramë, ndërsa Laura Fazliu, në kategorinë deri 63 kilogramë, nuk arriti të avancojë pas një dueli të gjatë që përfundoi me dënimin e të dyja garueseve.
Grand Slami i Parisit, ku morën pjesë 488 xhudistë nga 78 vende, ishte gara e parë e vitit në kuadër të Turit Botëror të Xhudos, ndërsa medalja e artë e Distria Krasniqit i siguroi Kosovës një tjetër sukses të madh në këtë turne prestigjioz.

