Nga Daut Dauti
Në realitet duhet të jetë Dita e Mësueses për shkak se në mesin tonë gratë kanë luajtur rol më të madh në arsimim se sa burrat. Kujtojini mësueset Qiriazi dhe grupin e mësuesve që erdhën në Kosovë nga Shqipëria (1941-1943). Roli i tyre ka qenë shumë madh.
Në Kosovë gjenerata ime është ndër të parat që ka filluar të arsimohet në gjuhën shqipe deri në universitet. Kur e kemi filluar shkollën, nuk ekzistonte asnjë profesion mbi mësuesin. Ka qenë profesion që e donte dhe e respektonte populli dhe shtetit. Prandaj, të gjithë aspironim të bëheshim mësues.
Gjysma e prindërve tanë (ndoshta edhe më shumë), kanë qenë analfabetë. Kjo ka qenë arsye që arsimi gjeti një përkrahje të madhe te ne. Por, në këtë përkrahje, që vinte nga dëshira për ta mundur injorancën, ne jemi ngutur që të shkollohemi sa më shpejt e sa më shumë. Si rezultat, nuk e kemi arritur qëllimin e arsimimit të mirëfilltë. Pra, duke u ngutur, nuk jemi shkolluar si dhe sa duhet në thellësi e gjerësi që kërkon arsimimi.
Kjo mënyrë e arsimimit tashti është duke na u hakmarrë. Mësuesi më nuk ka vlerë. Askush nuk aspiron të bëhet mësues. Tashti mësuesin e shikon nga lart edhe ai që nuk ka profesion.
Në të njejtën kohë, askush nuk ka vepruar më keq se ne ndaj njerëzve të shkolluar. Kujtojeni regjimin komunist në Shqipëri dhe atë jugosllav në Kosovë se si i persekutonte të shkolluarit. Vetëm Pol Poti ka persekutuar më shumë njerëz të shkolluar se regjimi komunist në Shqipëri. Parashqevi dhe Sevasti, gratë që e arsimuan kombin, në vend të falënderimit, gjetën persekutim. Sevasti Qiriazi u persekutua me tërë familjen pa mëshirë dhe kur vdiq, askush nuk guxoi t’i shkonte në varrim.
Prandaj, ne nuk kemi shumë arsye për t’u mburrur në Ditën e Mësuesit. Ne e kemi mundur analfabetizmin, por nuk e kemi fituar luftën për dije e përparim.