Nga Blerim Latifi
Gjatë gjithë ditës së 4 shkurtit 1945 Brigada e Shaban Polluzhës, e organizuar në njësi të vogla sulmi, ishte bartur në zonën e Qyçavicës. Duke e menduar këtë riorganizim si shpartallim të saj, brigadat partizane, krejtësisht të shkujdesura, u lëshuan në të ashtuquajturin pastrim tereni. Të nesërmen ato u zunë në befasinë vdekjeprurëse. Nga “Guri i Plakës” në jug të Qyçavicës, e deri tek Shkolla e Prekazit në veri, në një vijë frontale prej 40 kilometrash, ato ranë nën zjarrin e pamëshirshëm të njësive të Shaban Polluzhës dhe, nën panikun e goditjes së befasishme, pësuan humbje kolosale.
Tek Kodralitë e Prekazit njësiti i udhëhequr nga Isuf Gjilani arriti të asgjësonte gjithë shtabin e njërës prej brigadave partizane. Të mbetur pa komandë, njësitë e saj filluan të largoheshin në drejtim të Polacit, por tek vendi i quajtuar “Lkeni i Polacit”, ato ranë në pritën e njësitit të Aziz Zhilivodës dhe u asgjësuan pothuajse të gjitha. Një pjesë e tyre arriti të tërhiqej në drejtim të shkollës së Prekazit, por edhe aty ranë në pritën e ngritur nga njësiti i Xhemë Terrnavcit e Shaban Mangjollit dhe u asgjësuan tërësisht. Midis Fshatrave Likoshan, Qirez dhe Verboc, Brigada e Parë Sulmuese e Kosovës, duke mos e njohur terrenin, ra në pritat e ngrituara nga njësitë e Mehmet Gradicës dhe Rexhep Gjelit. Ata që shpëtuan nuk e përbënin dot as një batalion. Një brigadë tjetër partizane, që kishte për objektiv të merrte kontrollin e grykës që lidhte Drenicën me Fushën e Kosovës, në vendin që quhet “Guri i Plakës”, ra nën zjarrin e njësiteve tjera të Shaban Polluzhës, të drejtuara nga Sadik Lutani dhe Hazir Gjaka. Këtu ploja ishte edhe më e madhe.
Të nesërmen, komandanti suprem i partizanëve për Kosovë, Petar Brajoviqi, i raportonte Titos dhe Rankoviqit se kanë pësuar humbje të pallogaritshme në fshatrat rreth Qyçavicës, mbi 700 partizanë të vrarë, qindra të plagosur dhe shumë të humbur. Pas dy ditësh, me 8 shkurt, Tito shpalli administrimin ushtarak të Kosovës dhe urdhëroi grumbullimin e brigadave të reja për të shuar kryengritjen e Shaban Polluzhës. Deri në mesin e shkurtit 22 brigada partizane e rrethuan gjithë zonën. Në atë moment fati tragjik i kryengritjes u vulos.