Detaje tronditëse dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për AKSHI-n, ku zbulohet një skemë e dyshuar e organizuar presioni, kërcënimi dhe shantazhi, e përdorur për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga koncesione dhe procedura publike. Sipas hetimeve, në këtë skemë janë përfshirë persona të lidhur me pushtetin, të cilët dyshohet se përdornin ndikim dhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore për të “hequr” pengesat.

Në dosjen hetimore evidentohet se objekt presioni nuk ka qenë askush tjetër veçse Damian Gjiknuri, në atë kohë ministër i Energjisë. SPAK dokumenton se Gjiknuri ishte konsideruar “pengesë” për realizimin e përfitimeve të paligjshme të grupit.

Sipas materialeve hetimore, më datë 06.03.2019, Ergys Agasi komunikon me Alqi Bllakon lidhur me një “situatë”, ku pretendohet se Damian Gjiknuri po bllokonte interesat e tyre financiare. Nga përmbajtja e bisedës, SPAK sqaron se personi i përmendur me nofkën “labi” është shtetasi Elgerti Bixha, i cili pritej të emërohej administrator në një shoqëri private që kishte fituar një koncesion nga ministria e drejtuar asokohe nga Gjiknuri.

Sipas SPAK, pikërisht ky koncesion dhe përfitimet që rridhnin prej tij ishin në rrezik, pasi ish-ministri dyshohet se ishte shndërruar në pengesë për interesat e Ergys Agasit, Elgerti Bixhës dhe Alqi Bllakos.

Në komunikimin e datës 06.03.2019, në orën 21:54:43, Ergys Agasi shprehet me tone kërcënuese:

“Do ja qi robt, do fusim çunat pastaj…”.

Sipas SPAK, kjo frazë nënkupton qartë përdorimin e lidhjeve me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me qëllim ushtrimin e presionit dhe intimidimit për të “hequr” pengesat institucionale që po i dilnin përpara grupit.

Hetuesit e konsiderojnë këtë komunikim si provë të fortë që tregon jo vetëm gjuhën kërcënuese, por edhe mekanizmin e dyshuar kriminal të përdorur për të ndikuar në vendimmarrje shtetërore dhe për të siguruar përfitime të paligjshme nga koncesionet dhe fondet publike.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *