Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, foli me tone kërcënuese ndaj qeverisë së Kosovës nëse kjo e fundit fillon konfiskimin e automjeteve të serbëve në veri të vendit. Rakiq ishte në Beograd në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, prej nga duket të jetë hartuar dhe strategjia e serbëve të Kosovës ndaj fushatës së pritshme të qeverisë ndaj serbëve që refuzojnë konvertimin e targave të vjetra në ato RKS. “Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore.”- tha Rakiq në një konferencë për media në Beograd.
Rakiq theksoi se rezistenca e serbëve nuk është e dirigjuar politikisht dhe se ajo do të jetë vetëm shprehje e vullnetit të popullsisë serbe në Kosovë. “Ne flasim për rezistencë paqësore dhe demokratike, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren.”- shtoi Rakiq.