Gazetari i njohur, Klodian Tomorri, në një analizë të shifrave për ndërtimin e portit të ri në Durrës, ndër të tjera ka sqaruar se pjesë e këtij projekti është dhe ndërtimi i 12.000 apartamenteve me çmim prej 1500 eurosh për m2. “Projekti i Portit të Durresit parashikon ndërtimin e 12 mijë apartamenteve, 2 hoteleve me 850 dhoma në total dhe një marinë me 280 vende ankorimi jahtesh. Projekti është i ndarë në 2 faza.”- theksoi Tomorri.
Sipas Tomorrit, projekti i plotë për portin e Durrësit kërkon gjithsej 2.1 miliardë euro investime. Por kompania investuese ka parashikuar të investojë 160 milionë euro, ndërsa paraja shtesë do të gjenerohet sipas modelit të kullave të Tiranës. “Sipas fluksit të parasë, projekti kërkon 2.1 miliardë euro investime për realizimin e plotë. Por kompania financon vetëm 160 milione euro. Nga këto 80 milionë euro nga kapitalet e veta dhe 80 milionë të tjera kredi nga bankat. Pjesa tjetër, pra afro 2 miliarde euro gjenerohen nga vetë projekti. Me pak fjalë, modeli i biznesit në Portin e Durresit është njësoj si ai i kullave të Tiranës. Merr lejen, hap themelet dhe paratë të vijnë vetë që në gropë, pa patur nevojë të investosh gjë. Në total, projekti gjeneron 3.2 miliardë euro të ardhura, nga të cilat 2.2 miliarde vijnë vetëm nga shitja e apartamenteve, ndërsa pjesa tjetër nga hotelet, dyqanet dhe marina e jahteve. Pra 12 mijë apartamente që do të përmbysin tregun e pasurive të paluajtshme bregdetare. Por këtu ka një detaj të rëndësishëm. Në planin e biznesit, kompania parashikon që apartamentet t’i shesë me 1500 euro për metër katror. Ky çmim ka për të lëvizur ekuilibrat e tregut.”- shkruan Tomorri.