Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se ka refuzuar dy herë oferta për t’u bërë pjesë e pushtetit, dhe se ky refuzim ka sjellë pasoja për të.
“Do t’i them gjërat siç janë. Në Qershor më erdhi një person dy herë dhe më kërkoi të bëhesha pjesë e pushtetit. Unë e refuzova, por ky refuzim më është kthyer në kosto,” tha Lapaj, duke theksuar se nuk priste që një refuzim i tillë personal të ndikonte në rrjedhën e ngjarjeve politike.
Kreu i koalicionit theksoi se qëndrimi i tij është në përputhje me parimet e koalicionit dhe me besnikërinë ndaj qytetarëve që i kanë dhënë mbështetje. Ai nënvizoi se beteja e tyre nuk është për të fituar mandate në parlament, por për të përfaqësuar qytetarët jashtë mekanizmave të zakonshëm politikë.
Lapaj vuri në dukje se oferta për të hyrë në pushtet shpesh lidhet me pazare dhe kompromise politike, të cilat ai i ka refuzuar për të mbrojtur integritetin e tij dhe të koalicionit. “Ne nuk bëhemi pjesë e pushtetit për të marrë favor, ne jemi për qytetarët dhe parimet tona,” shtoi ai.