Presidenti i shkarkuar i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka deklaruar se do të udhëtojë drejt Moskës për të kërkuar mbështetjen e Rusisë në përpjekjet e tij për të shkëputur këtë entitet nga Bosnja e Hercegovina. Ai synon që Rusia të përdorë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të larguar misionin paqeruajtës të BE-së, EUFOR, nga vendi.
Dodik i ka cilësuar institucionet ndërkombëtare në Bosnjë si “pushtuese”. “Kemi administratë civile vendore të drejtuar nga një i huaj i quajtur Shmit dhe një trupë të armatosur pushtuese të quajtur Altea. Ne duam t’i largojmë të dyja. Për ta bërë këtë duhet të jemi shtet i veçantë”, tha ai.
Ai ka theksuar se referendumi për shkëputje do të vijë në dy faza. Së pari, sipas Dodikut, duhet të “çlirohen” nga EUFOR, të cilën ai e konsideron trup pushtues. Më pas, do të ketë një referendum fillestar, i cili do të pasohet nga një referendum përfundimtar për pavarësi. “Kjo është rrugë e pandalshme,” u shpreh Dodik, duke theksuar të drejtën për vetëvendosje që, sipas tij, është e garantuar nga Kushtetuta.
Deklaratat e Dodikut vijnë në një kohë tensioni të lartë në Bosnjë e Hercegovinë, ku ndarja etnike dhe sfidat politike kanë ndikuar në stabilitetin e vendit. Shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim për çdo përpjekje për shkëputje njëanshme, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të rrezikojë paqen në rajon.