Nga Sokol Neçaj

 Më 12 mars 1947, Presidenti Harry S. Truman mbajti një fjalim përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit. Mesazhi i tij, i njohur si Doktrina Truman, ishte kërkesa që i beri Kongresit per 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Turqinë dhe Greqinë.

Me 21 shkurt 1947, Ambasada Britanike informoi zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-së se Britania e Madhe nuk mund të ofronte më ndihmë financiare për qeveritë e Greqisë dhe Turqisë. Politikëbërësit amerikanë kishin monitoruar gjendjen e shkatërruar ekonomike dhe politike të Greqisë, veçanërisht në kryengritjen e udhëhequr nga komunistët e njohur si Fronti Nacional Çlirimtar, ose EAM/ELAS.  

Shtetet e Bashkuara kishin ndjekur gjithashtu ngjarjet në Turqi, ku një qeveri e dobët përballej me presionin sovjetik për të ndarë kontrollin e ngushticës strategjike të Dardanelës. Kur Britania njoftoi se do të tërhiqte ndihmën për Greqinë dhe Turqinë, përgjegjësia i kaloi Shteteve të Bashkuara.

Në një takim mes kongresmenëve dhe zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, nënsekretari i shtetit, Dean Acheson artikuloi atë që më vonë do të njihej si “teoria e dominos”.  

Ai deklaroi se në rrezik ishin më shumë Greqia dhe Turqia, sepse nëse këto dy shtete kyçe do të bien, komunizmi ka të ngjarë të përhapet në jug deri në Iran dhe në lindje deri në Indi.  

Sipas Acheson që nga koha e Romës dhe Kartagjenës nuk kishte ekzistuar një polarizim i tillë i fuqive. Ligjvënësit të shtangur ranë dakord të miratonin programin me kusht që Presidenti Truman të elaboronte rëndësinë e krizës në një fjalim në Kongres dhe në një transmetim radiofonik për popullin amerikan.

Me 12 mars 1947, duke iu drejtuar një sesioni të përbashkët të Kongresit, Presidenti Harry S. Truman kërkoi 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Greqinë dhe Turqinë dhe ndërmori një politikë të karakterizuar me të drejtë që u njoh si Doktrina Truman.  

Kjo doktrinë dhe “teoria domino”  do të udhëheqin politikën e jashtme të SHBA-së në mbarë botën për 40 vitet e ardhshme.  Presidenti Truman deklaroi: “Duhet të jetë politikë e Shteteve të Bashkuara mbështetja e popujve te lirë që po i rezistojnë tentativës për nënshtrim nga pakicat e armatosura apo nga presionet e jashtme”.

Akordimi i ndihmës për Greqinë dhe Turqinë nga Kongresi me shumicë republikane shenoi fillimin e një politike të jashtme të gjatë dhe të qëndrueshme dypartiake të Luftës së Ftohtë.  Administratat e ardhshme presidenciale do të përdorin ndër të tjera arsyetime të ngjashme për të justifikuar veprimet në Kore, Kubë dhe Vietnam.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *